E Diel, 1 Nëntor 2026

Emrat e zyrtarëve që rikthehen në punë

Vendimet e fundit të Komisionit të Shërbimit Civil për ankesat e dy viteve

Komisioni i Shërbimit Civil ka rifilluar normalisht punën, duke trajtuar ankesat e punonjësve me status, sikurse e parashikon ligji. Gazeta “Shqip” arrin të sigurojë një kopje të listës me emrat e zyrtarëve që kishin paraqitur ankesë në KSHC për largim pa të drejtë nga puna, transferim, ulje në detyrë, vërejtjet etj. Sikurse shihet nga tabela, pjesa dërrmuese e vendimeve janë dhënë pro ankimuesve, që vijnë kryesisht nga administrata tatimore, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme. Vendimet janë dhënë për ankesat e paraqitura gjatë vitit 2010, si dhe të vitit 2009. Shqyrtimi i dosjeve nga KSHC-ja i referohet periudhës nga data 5 mars deri në 12 prill, ku pjesa dërrmuese u përket ankesave të reja nga nëpunës me status civil, të cilët kundërshtojnë vendimin e institucionit ku punonin sa i takon largimit, transferimit apo vërejtjes. Në këtë mënyrë, personat që lexojnë emrin në gazetë, pra që nuk janë njohur më parë për vendimet e KSHC (për arsye të ndryshme), tashmë kanë të drejtë të marrin njoftimin e vendimit, në mënyrë që të vihet në zbatim nga eprori i tyre.

Puna

KSHC ka vijuar normalisht punën që nga data 5 mars, kur nisi shqyrtimin e dosjeve të prapambetura që nga qershori i vitit të kaluar. Gjatë ditëve të fundit janë shqyrtuar rreth dosje të reja, ndërsa në plan kanë trajtimin e rasteve të tjera. Pra puna vijon normalisht pavarësisht propozimit të Komisionit të Ligjeve për të shkarkuar anëtarët e KSHC me anë të një rezolute që do t’i paraqitet Kuvendit. Deri në miratimin e rezolutës, që kërkon 84 vota, si dhe shqyrtim të saj mbi arsyet e shkarkimit (që vështirë të arrihet), KSHC do të vijojë normalisht punën, sikurse e parashikon ligji. Gjatë ditës së djeshme, Komisioni i Shërbimit Civil ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku është shqyrtuar plani i buxhetit 2010, si dhe disa ndryshime lidhur me organizimin e brendshëm të institucionit. Mësohet se në mbledhje ka marrë pjesë edhe Mimoza Hysenaj, ish-kryetare e komisionit, duke pranuar në një farë mënyrë vendimin e KSHC-së për shkarkimin e saj, dhe vijimin normal të punës. Duket se konfliktet brenda institucionit janë shuar, pas zgjedhjes si zv.kryetar të anëtarit Kostandin Kazanxhi, i cili ka drejtuar mbledhjet që prej datës 5 mars. Dosjet e para të shqyrtuara lidheshin me ankesat e kryera nga punonjësit me status që prej vitit 2009, vendimet e të cilëve u morën që në qershor, por që nuk formalizoheshin nga kryetarja e KSHC-së me pretendimin e parregullsisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›