Ruzhdia, fillon gjyqi i dytë në Fier
Nis procesi gjyqësor për ngjarjen e regjistruar gjatë procesit zgjedhor të qershorit 2009 në Ruzhdie. Bëhet fjalë për dhunimin e një anëtari të Partisë Socialiste, i cili deklaroi për një nga televizionet private se kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit duheshin hapur dhe se në Ruzhdie është shënuar votim kolektiv. Që në seancën e parë të procesit gjyqësor, u dalluan përpjekjet e dy të akuzuarve për ta zvarritur çështjen.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier ka nisur dje seanca e parë përgatitore ndaj dy vëllezërve, Pëllumb Myrtaj dhe Rrapo Myrtaj, banues në fshatin Ruzhdie të Rrethit Fier. Ata janë hetuar në gjendje të lirë dhe janë paditur në prokurori nga bashkëfshatari i tyre, Isuf Kamberaj. Ky i fundit ka denoncuar publikisht edhe në rrugë ligjore, se është rrahur nga të dy vëllezërit Myrtaj në qendër të fshatit Ruzhdie, teksa dilte nga një dyqan. “Më rrahën me pretendimin se unë kam zënë në gojë emrin e tyre gjatë një interviste që kam dhënë në një televizion. Kjo nuk është e vërtetë, pasi unë kam thënë vetëm që kutitë e votimit duhet të hapen, ndërkohë që ka pasur njerëz që kanë votuar më shumë se një herë. Kjo është e gjitha. Kam bërë kallëzim, ku dhe kam marrë një raport mjekësor. Pikërisht në bazë të këtij kallëzimi, Gjykata e Fierit ka zhvilluar këtë seancë të parë përgatitore”, është shprehur Isuf Kamberaj për gazetën “Shqip”.
Pëllumb dhe Rrapo Myrtaj akuzohen për veprën penale “Rrahje në bashkëpunim”, e cila parashikon dënimin me gjobë deri në 6 muaj burg. Pas hetimeve të kryera nga organi i akuzës, dosja është dërguar në gjykatë. Shorti për ta shqyrtuar më tej këtë çështje gjyqësore i ka rënë gjyqtares Adelina Zarka. Seanca e parë është zhvilluar dje në orën 12:00, në prezencë të të dyja palëve.
Gjyqtarja Adelina Zarka fillimisht ka pyetur të akuzuarit për njohjen e kallëzimit të të dëmtuarit. Pasi kanë konfirmuar se nuk kanë dijeni se për çfarë janë akuzuar, vëllezërit Myrtaj kërkuan një kopje të këtij kallëzimi për t’u njohur me të. Ndërkohë ata kërkuan edhe kohë që të mbrohen me avokatë, pasi nuk kishin dijeni se për çfarë akuzoheshin. Në kushtet e krijuara, gjyqtarja Adelina Zarka, pasi ka marrë miratimin e të dyja palëve, vendosi që ta ndërpresë seancën, për t’u dhënë kohë të akuzuarve të sigurojnë mbrojtjen, si dhe të njihen edhe me kopjen e kallëzimit, ndërkohë vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në datën 29 prill.