Emri, Greqia kundërshton propozimin e Maqedonisë
Për zgjidhjen e kontestit për çështjen e emrit, ndërmjet Athinës e Shkupit, për Greqinë është i pranueshëm propozimi "Maqedonia Veriore", raporton e përditshmja greke, Katimerini. Sipas shtypit grek, propozimet e ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimiç, konsiderohen të papranushme nga Athina, aq më tepër kur ka shumë mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme pranverën e ardhshme. Nuk përjashtohet që pala greke të planifikojë një tjetër veto për Maqedoninë, kësaj here në Bashkimin Europian. Ky vlerësim fiton më shumë terren kur është bërë e ditur se kryetari i parlamentit grek, Dimitris Siufas u ka dërguar një letër homologëve të vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, me të cilën i informon mbi qëndrimet e Greqisë në çështjen e emrit. Në letrën e tij, ai ka theksuar se vendi i tij ka bërë dhe po bën çdo përpjekje, në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, që të gjendet një zgjidhje reciprokisht e pranueshme dhe se tregon në negociata mirëbesim dhe frymë konstruktive. Sipas burimeve të shtypit vendas, propozimi i të dërguarit të posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për çështjen e emrit Methju Nimic, bërë disa muaj më parë, është, për mendimin e palës greke, më i keq se ai që kishte paraqitur në tetor të vitit të kaluar. Me një kuadër të tillë, thekson gazeta Elefterotipia, edhe sikur klima e brendshme politike në Greqi të ishte e mirë, gjë që tani nuk ekziston, konsiderohet krejtësisht e pamundur që të kishte progres në çështjen e emrit. Në Maqedoni, burime diplomatike citohet të kenë thënë se vendi mund të pranojë ndryshimin e emrit, por vetëm nësë ndonjë fjalë i shtohet para ose prapa, emrit kushtetues Republika e Maqedonisë. "Republika e Maqedonisë e Veriut", ose "Republika e Maqedonisë vizë ose në kllapa "veriore", mund të ishin propozime si bazë për të vazhduar negociatat për emrin me Greqinë. Burime diplomatike janë cituar të kenë thënë se referenca "veriore", mund të jetë e pranueshme për emrin e vendit, por vetëm nëse vedoset para ose prapa emrit kushteutes Republika e Maqedonisë. Përfaqësuesit ndërkombëtar bëjnë thirrje të vazhdueshme që dy palët të gjejnë zgjidhje, që çështja e emrit mos të jetë pengesë për anëtarësimet e Maqedonisë në organizata ndërkombëtare.