Emri im, qyteti i tyre

Fenomeni i emërtimit të fëmijëve sipas emrave të qyteteve të Shqipërisë, tek ne lindi si pasojë e ndikimit të politikave të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.
Ëndrra dhe ideja për një Shqipëri të bashkuar lindi në shekullin XIX, që nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Në pjesën e dytë të shekullit XX, ideja për Shqipërinë e Madhe u shndërrua në një forcë kryesore ideologjike, e cila shtyu përpara shoqërinë e shtypur kosovare. Kjo periudhë përfundoi me Pavarësinë e Kosovës, në dekadën e parë të shekullit XXI.
Mirëpo, emërimi i fëmijëve sipas emrave të qyteteve të Shqipërisë, buron nga faktorë të tjerë. Si për shembull, nga pamundësia e shqiptarëve të Kosovës për të udhëtuar drejt asaj që ata e perceptoni si mëmëdhe, sepse atje kishin etninë e përbashkët.
Kjo gjë ushqeu edhe ndjenjën e nostalgjisë për Shqipërinë. Për shembull, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ndodhi që të ndaheshin motra dhe vëllezër, duke mbetur “të zënë” nga të dy anët e kufirit në kohën e ‘mbylljes’ së Shqipërisë. Nuk patën mundësi të takohen deri në rënien e komunizmit, në fillim të viteve të 90’ta. Në atë kohë ishte bërë zakon që fëmijët të emëroheshin Berat, Milot, Saranda, Gjirokastra, Shkodran, Butrint, Vlora..., një gjë kjo e pazakontë për banorët e këtyre qyteteve.
Ekspozita “My name, their city” është realizuar përmes 7 fotografive, të formatit 80x60 centimetra, në të cilat paraqiten individë të ndryshëm, derisa mbajnë në duar fotografinë e qytetit emrin e të cilit e mbajnë.