Shqipëria e fortë

Kombëtarja e Shqipërisë e ka përmbyll vitin 2012 me një barazim. Kjo pasi ndeshja miqësore e saj me Kamerunin, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Gjenevë të Zvicrës, ka përfunduar pa gola.
Mirëpo, paraqitja e kuqezinjve ishte shumë e mirë, e madje edhe kanë mundur ta fitonin takimin përballë favoritit, Kamerunit, por fati nuk ishte në anën e ekipit të Gianni De Biasit, i cili ka lëshuar raste të shumta dhe mjaftë të mira shënimi. Marrë në tërësi, topin e ka poseduar më shumë Kameruni, kurse shanset më të mira për të shënuar gola i kishte Shqipëria.
Në fakt, gjatë pjesës së parë, forcat e të dyja ekipeve në fushën e blertë ishin afërsisht të barabarta, ndonëse shqiptarët ishin diç më të rrezikshëm.
Ndërsa, periudhën e dytë të lojës, Shqipëria e nisi shumë furishëm, duke e sulmuar pareshtur Kamerunin.
Madje, gjyqtari ua mohoi një penalti djelmoshave të De Biasit, të cilëve më pas golin ua mohoi edhe portieri kamerunas, i cili me ndihmën e fatit, disi i evitoi gjuajtjet shumë të rrezikshme të Odise Roshit në minutën e 53-të dhe atë të Edgar Çanit, vetëm një minutë më vonë.
Ndërsa, edhe Shqipërinë e ndihmoi fati në minutën e 67-të, kur transversalja e shpëtoi portierin Etrit Berisha pa pësuar gol. Ky ishte edhe rasti më i mirë për kamerunasit, derisa në pesë minutat e fundit të takimit, i riu Armando Vajushi i lëshoi dy shanse të mira për ta shpall fitues Shqipërinë.
Duhet theksuar se përzgjedhësi i kuqezinjve në këtë takim ka hyrë me disa risi në formacion. Mungesën e Erion Bogdanit, Hamdi Salihit, Jamir Hykës e disa të tjerëve, De Biasi i kishte mbuluar me disa futbollistë të rinj, të cilëve u dha rast për të luajtur ndaj Kamerunit, si: Renato Arapit, Armando Vajushit, Sabien Lilajt e Bekim Balajt, por edhe Kristi Vangjelit, të cilin e pati në dispozicion për herë të parë prej ardhjes së tij në stolin kuq e zi.
Paraqitja e djelmoshave të tij e ka kënaqur De Biasin, por qefin ia prishi fakti që nuk mundi të fitoj. “Skuadra jonë vazhdimisht po rritet. Ardhjet e reja më lanë përshtypje. Luajtëm mirë, sidomos në pjesën e dytë, që ndoshta e meritonim ta shënonim golin e fitores”, tha De Biasi.
Kjo ishte ndeshja e fundit e kuqezinjve për vitin 2012, derisa në vitin 2013 do t’i vazhdoj eliminatoret për Botërorin ‘Brazili 2014’.
Shënojnë Shaqiri, Hetemaj e Ibrahimi
Zvicra, për të cilën luajnë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi, ka shënuar fitore në ndeshjen miqësore ndaj Tunizisë me rezultat 1:2. Fitoren helvetikëve ua ka siguruar mesfushori kosovar, Shaqiri, i cili e ka realizuar golin e fitores në minutat shtesë të lojës.
Ndërsa, Xhaka ka luajtur deri në minutën e 76-të, kurse në pjesën e dytë prishtinasin e ka zëvendësuar Behrami, derisa Mehmedi nuk ka luajtur fare.
Gol ka shënuar edhe Përparim Hetemaj në fitoren e Finlandës ndaj Qipros, 0:3. Hetemaj e ka realizuar golin e dytë të ekipit të tij nga penaltia. Kurse, Agim Ibrahimi e ka shënuar golin e tretë në fitoren e Maqedonisë ndaj Sllovenisë, që ka përfunduar me rezultat 3:2.