SHBA-Shqipëri, stad i ri i bashkëpunimit për sigurinë
Bashkëpunimi shqiptaro-amerikan për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes do të zhvillohet në nivele të reja. Në këtë kuadër është zhvilluar dje një takim mes zv.ministres së Punëve të Jashtme, Edit Harxhi dhe zv.asistentsekretaren amerikane të Mbrojtjes, Celeste Wallander. Sipas njoftimeve për shtyp të Ministrisë sonë të Jashtme, biseda është përqendruar në fushën e bashkëpunimit të mëtejshëm në politikat e sigurisë, duke e vënë theksin në aspektin praktik të tyre dhe që ka të bëjë me situatën dhe zhvillimet në rajon, si dhe mbi perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Nga ana e saj, zv.ministrja e Jashtme Harxhi siguroi Wallander për angazhimet maksimale të Shqipërisë në drejtim të forcimit të klimës së moderuar dhe të paqtë në rajon, një detyrim ky që buron edhe nga statusi i një vendi anëtar të NATO-s. “Shqipëria, tashmë si një vend anëtar i NATO-s, është e vendosur të forcojë dhe thellojë më tej partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të vazhdojë të kontribuojë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit si në rajonin e Ballkanit, ashtu edhe në vende të tjera në kuadër të misioneve ushtarake, si në Afganistan, Irak”, është shprehur numri dy i diplomacisë shqiptare. Ndërkohë, zv.asistentsekretarja amerikane e Mbrojtjes, Wallander, vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në misionet ushtarake, si dhe rolin moderues dhe proaktiv që Shqipëria ka luajtur dhe po luan në rajon. Vlerësimet dhe vizita e saj vijnë në një kohë delikate për Ballkanin, kur periodikisht krizat tradicionale si ajo që qarkon Maqedoninë, apo edhe problematika e Kosovës vijojnë të shfaqin simptoma acarimi. Duhet thënë se rreshtimi i vendit tonë në problemet që kanë të bëjnë me sigurinë ka qenë përherë ai i një aleati të pakushtëzuar me SHBA-në, si për sa i përket kontekstit rajonal, ashtu edhe atij global, ku disa pika shfaqen kritike për Perëndimin.
#