E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende asnjë kandidat për kryetar të RDK-së

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK), Memli Krasniqi, duke folur për procesin zgjedhor brenda RDK-së, ka thënë se deri më tani nuk është lajmëruar asnjë pretendent për ta zëvendësuar në këtë pozitë të cilën është duke e ushtruar tash e sa vite. “Deri më tani askush nuk e ka shpallur kandidaturën për ta pasuar pozitën time. Ata që mund të kenë ambicie të tilla besoj se dëshirojnë të kalojë faza e parë e procesit zgjedhor. E kur të përfundojë procesi zgjedhor brenda degëve, konkretisht kah fundi i majit besoj se do t’i shpallin kandidaturat e tyre”, ka deklaruar Krasniqi për “Epokën e re”.

Sipas Krasniqit, që nga fillimi i procesit zgjedhor të RDK-së janë mbajtur disa takime me qëllim të përgatitjes së terrenit për zhvillimin e këtij procesi. “Që nga 3 prilli janë mbajtur disa takime të strukturave aktuale udhëheqëse. Në këtë drejtim janë përgatitur dokumentet të cilat do ta lehtësojnë zhvillimin e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e organizimit. Po ashtu, janë mbajtur edhe takime me degët e RDK-së, të cilat tashmë janë aktive në përgatitjen e kuvendeve të nëndegëve apo të seksioneve aty ku janë të organizuara”, është shprehur Krasniqi.

Në këtë kontekst, Krasniqi ka bërë me dije se kuvendet zgjedhore brenda RDK-së në nivel të seksioneve dhe nëndegëve do të fillojnë të mbahen në fillim të javës së ardhshme. “Presim që kuvendet zgjedhore në nivel të sesioneve dhe nëndegëve të fillojnë të mbahen duke filluar nga java e ardhshme. Kështu që, sipas një kalendari të përafërt, besojmë se ky proces në këto nivele përafrisht do të marrë kohë një muaj, pastaj do të vazhdohet me procesin zgjedhor në nivel të degëve, me qëllim që i gjithë procesi të kulmojë me konventën e përgjithshme të RDK-së diku kah fundi i muajit qershor”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se ka një interesim të madh të të rinjve për t’iu bashkuar RDK-së. “Gjithçka është duke shkuar mirë. Kështu, së paku, jemi të njoftuar nga terreni. Unë kam kërkuar nga të gjithë kryetarët e degëve të PDK-së të marrin pjesë në koordinimin e procesit zgjedhor të RDK-së. Por, ajo çfarë mund të them është se ka një interesim të madh të rinisë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor të RDK-së. Jemi duke u angazhuar dhe jemi të bindur se ky proces do të jetë transparent dhe demokratik në mënyrë që ata që do ta marrin besimin e anëtarëve të RDK-së të kalojnë në pozita udhëheqëse në të gjitha nivelet e këtij forumi”, ka thënë Krasniqi.

RDK-ja, shembull për forumet e tjera rinore

Memli Krasniqi, kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK), ka thënë se janë shembull për forumet rinore të partive të tjera politike që veprojnë në Kosovë dhe rajon. “RDK-ja ka vendosur një standard të ri për organizatat rinore politike, duke dëshmuar se kemi forumin më të madh rinor politik. Po ashtu, si RDK kemi dëshmuar se jemi një faktor relevant brenda strukturave të PDK-së, qoftë në nivel dege apo qendre. Shumica prej nesh që kemi pasur përgjegjësi udhëheqëse brenda RDK-së na janë besuar edhe pozita të rëndësishme institucionale, gjë që e ka ngritur standardin për të gjitha partitë e tjera dhe strukturat që do të pasojnë. Ajo çfarë pres është të ketë një vazhdimësi të kësaj praktike të vendosur nga ne në mënyrë që RDK-ja të fuqizohet në vazhdimësi”, është shprehur Krasniqi. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›