E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende nuk ka rezultate nga numërimi i votave të Konventës së PDK-së

Ende nuk ka rezultat nga numërimi i votave të Konventës së Gjashtë Zgjedhore të PDK-së, për anëtarë të Këshillit Drejtues të kësaj partie. Zyrtarët e PDK-së, besojnë se brenda ditës do të përfundojë numërimi i votave, ndërkohë e vlerësojnë gjithë procesin e brendshëm zgjedhor, si një dëshmi e përcaktimit të PDK-së për transparencë të plotë. Dhjetëshen e parë më të votuar, e përbëjnë zyrtarët më të lartë të PDK-së.

Ish kreu i Shërbimit Informativ i Kosovës, Kadri Veseli vazhdon të prijë me numrin më të madh të votave, për Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu bëjnë të ditur për Radio Kosovën, burime brenda PDK-së, të cilat thonë se dhjetëshja e parë e më të votuarve, përbëhet nga zyrtarë të lartë të PDK-së, duke përfshirë Hajredin Kuçin, Fatmir Limajn, Xhavit Halitin, Enver Hoxhajn, Adem Grabovcin, e të tjerë. Por ndërkohë, më poshtë qëndron kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili bojkotoi Konventën e Gjashtë Zgjedhore të PDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, pret që brenda ditës të përfundojë numërimi edhe i atyre votave që kanë mbetur, ndërsa shpreh besimin se edhe kryeparlamentari Krasniqi, do të jetë pjesë e Këshillit Drejtues.

“Ne absolutisht kemi besim të plotë se Jakup Krasniqi do të jetë në strukturat drejtuese të partisë”, tha Grabovci.

Grabovci i është përgjigjur ndërkaq, sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili e ka krahasuar Konventën e PDK-së me Partinë Komuniste në Korenë e Veriut. Grabovci ia ka rikujtuar Beqirit Kuvendin e Gjashtë të LDK-së, i cili njihet si “Kuvendi i karrigeve”.

“Kuvendi i karrigeve, ne urojmë që mos të përsëritet as në LDK as në asnjë subjekt tjetër. Ne nuk i gëzohemi të keqes, kudo që ndodhë në këtë vend. Përkundrazi atë e përjetojmë shumë keq, sepse është e keqe që ndodhë në vendin tonë”, tha Grabovci.

Ndryshe, teksa numërohen votat për Këshillin Drejtues të PDK-së, kryesia e degës së kësaj partie në Prishtinë, pritet të mblidhet sot për të zgjedhur kryetarin e degës. Në garë për të parin e degës janë Memli Krasniqi dhe Lirak Çelaj. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›