Mbeturniat prej muajsh janë lënë “në mëshirën e fatit”!

Në rrugën “Rrahim Beqiri”, në lagjen Bregu i Diellit, tek stacioni i fundit i autobusëve të linjës 4, matanë rrugës, mbeturinat janë mbledhur me muaj të tërë dhe askush nuk i largon. Ky vend është shndërruar në një “deponi mbeturinash” të kësaj lagjeje.
Si duket këto mbeturina kanë mbetur nën mëshirën e fatit, sepse zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnore Ademi, ka thënë që kompania “Pastrimi” është përgjegjëse për largimin e mbeturinave përreth kontejnerëve e jo për hapësirat e tjera.
Ajo gjithashtu ka thënë që në vendet ku ka kontejnerë pastrohen mbeturinat dhe bëhet largimi i tyre duke i dërguar për deponim në Deponinë Sanitare të Mbeturinave në Mirash. Por, sipas Ademit, kjo kompani nuk është në dijeni për këto mbeturina të mbledhura prej muajsh aty, shkruan “Zëri”.
“Kompania “Pastrimi” pastron me saktësi të gjitha pjesët sipas planit operativ. Sipas këtij plani të përpiluar pastrohen dhe largohen të gjitha mbeturinat që grumbullohen, rruga në fjalë çdo natë pastrohet, nuk jemi në dijeni se në këtë vend ka mbeturina, sepse janë ekipet në terren të cilat monitorojnë rreth kryerjes së shërbimit”, ka deklaruar Ademi. Ajo tregoi që kompania “ Pastrimi” është përgjegjëse edhe për mirëmbajtjen e hapësirave publike në vendet ku ka trotuare.
Ndërkaq banorët të cilët jetojnë në këtë pjesë thonë se këto mbeturina janë shëmti e kësaj lagjeje, por ata i fajësojnë edhe qytetarët por edhe kompaninë “ Pastrimi” e cila nuk i largon këto mbeturina që janë grumbulluar aty.
Uran Sylejmani thotë që këto mbeturina i kanë hedhur vetë qytetarët dhe kompanitë ndërtimore si pasojë të mosvetëdijesimit të tyre.
“Këtë e bëjnë thjeshtë njerëzit e paedukatë. Nuk dua t’ia lë fajin vetëm kompanisë “Pastrimi”, por edhe ata kanë faj pse nuk i hjekin këto mbeturina, por i lën aty dhe nuk e kryejnë punën si duhet. Por, prapë po them që mungon vetëdija tek qytetarët gjithashtu mungon edhe edukata.
Ndërkaq Daut Jashari e pranon që këto mbeturina janë si pasojë e moskujdesit të disa qytetarëve të pandërgjegjshëm.
“Duhet ta pranojmë që edhe vetë banorët nuk janë të kujdesshëm dhe mbeturinat i hedhin vend e pa vend. Por, deri më tani sa i përket kompanisë “Pastrimi”, ata po mundohen bukur mirë me e heq bërllokun, mirëpo popullata është e madhe”, është shprehur ai.
Edhe Ymeri, një tjetër banor i kësaj lagjeje, thotë që të gjitha këto mbeturina kanë ardhur si pasojë e ndërtimeve që po bëhen në këtë lagje.
“Këto mbeturina më së shumti janë si pasojë e ndërtimeve të këtyre banesave, vetë punëtorët po i hedhin këto mbeturina, por edhe qytetarët po ashtu. Nuk e di përse kompania që merret me pastrimin e mbeturinave i pastrojnë vetëm mbeturinat që janë në kontejnerë e këto që janë vetëm 10 metra larg kontejnerëve nuk i pastron fare”, ka thënë Ymeri./Indeksonline/