Ende pa pronar, superjahti i Hussein

Superjahti i Saddam Hussein, sot pronë e qeverisë irakiane, i quajtur “Basra Breeze”, (Flladi i Basras) javën e kaluar ka dalë në shitje për 25 milionë euro.
Ajo që në të shkuarën quhej “Qadisiyah Saddam” nga emri i fitores se arabëve kundër persianëve në shekullin VII para Krishtit, më vonë pas rënies së diktatorit irakian u quajt “Ocean Breeze”.
Është një anije luksoze e gjatë 82 metra, e pasur me dekorime prej ari dhe argjend, me skulptura antike dhe sipas disa të apasionuarve të jahtit ajo vlen më shumë nga sa kërkohet.
E ndërtuar në sekret në vitin 1981, në një kantier ndërtimi në “Helsingor Vaerft” në një qytet danez, jahti përbëhet nga shumë dhoma të rregulluara në mënyre luksoze dhe të gjitha të përbëra nga xhama anti plumb: shumë nga dhomat janë plot me tapete shumë ngjyrëshe në të cilat janë dizenjuar disa nga qytetet më të bukura arabe, ndërsa në tualete sigurisht nuk mungojnë rubinetët prej floriri.
Në dhomën kryesore dyshemeja është ngjyrë blu me nuanca të kuqe salmoni. Edhe në dhomat e tjera kombinimet janë bërë me ngjyra shumë të forta, aq sa sipas “Times” është “shumë e vështirë të imagjinosh që dikush mund të flejë aty”.
Edhe pse ka sauna dhe pishina të tipeve të ndryshme, apo një pistë helikopteri dhe një sallë festash që mund të presë edhe 200 persona, kjo anije nuk ka një palestër, luks që asnjë nga miliarderët nuk mund të heqin dorë.