Ende sekrete lista e PD-së

Kur mbeten ende edhe pak orë nga dorëzimi i listave për deputetë situata në selinë blu në dukje është e qetë. Kjo edhe pse listat ende nuk janë mbyllur dhe fare pakkush ka informacion për shpërndarjen e deputetëve. Kryeministri Berisha nuk ka dhënë asnjë indikacion për shumë nga të vetët, është duke shfrytëzuar edhe orët e fundit për të mbyllur listën që me shumë gjasa do t'i paraqitet kryesisë së partisë në orën 20.00 për miratim përpara se ajo të shkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ajo që dihet dhe që është e sigurt është kryesimi i listës së Tiranës nga zoti Berisha dhe qarqeve të tjera kryesore nga Jozefina Topalli në Shkodër, Ridvan Bode në Korçë, Sokol Olldashi në Fier, Astrit Patozi në Vlorë, Arben Imami në Elbasan, Flamur Noka në Kukës, transmeton TCH.
E sigurt është edhe përfshirja e kryetarëve të partive aleate Fatmir Mediu, Shpetim Idrizi, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka në listën e Partisë Demokratike, sikurse edhe të tre ish-deputetëve socialistë, Gjovalin Kadeli në Lezhë, Asllan Dogjani ndoshta në Tiranë, ndërsa mbetet të shihet ku do të vendoset Kastriot Islami.
I paqartë mbetet statusi i Princ Lekës, nëse do te jetë apo jo kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. Afrimet e aleateve dhe ish-deputetëve të majtë natyrisht që do të shkaktojnë edhe ndonjë lëvizje e spostim të deputetëve aktualë të PD, por kjo ka për t'u zbuluar përfundimisht vetëm në orën 20:00./Indeksonline/