Ende s’ka pajtim për telekom e energji

(E plotësuar) Raundi i 13-të i dialogut për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa marrëveshje. Sidoqoftë, shefa për politikë të jashtme e BE-së, Catherine Ashton ka deklaruar se cështja e telekomit dhe energjisë janë shumë afër të zgjidhen.
“Tekstet për telekom dhe energji janë gati të finalizuara. Diskutimet në këto tekste do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim kur unë të udhëtojë drejt Beogradit dhe Prishtinës”, është deklarata e Ashton që ju është dërguar mediave përmes postës elektronike.
Takimi në mes të kryeministrave zyrtarisht është zhvilluar për të diskutuar të gjitha temat që lidhen me implementimin e marrëveshjes së 19 prillit për normalizim marrëdhëniesh në mes të dy vendeve.
Pas asaj marrëveshjeje dhe shkëmbimit të zyrtarëve ndërlidhës në Prishtinë dhe Beograd, Këshilli Evropian në fund të qershorit ka marrë vendim që të hap negociatat për anëtarësim me Serbinë dhe nisjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit.
---
Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Catherine Ashton ka njoftuar për mediat se sapo ka filluar raundi i 13 i dialogut Kosovë- Serbi për normalizimin e raporteve. Kocijancic bëri të ditur se Baronesha Ashton aktualisht është në takim me Kryeministrin serb, Ivica Daçiç dhe ekipin e tij.
“Vetëm për të konfirmuar, takimet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE’ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës sapo kanë filluar. Përfaqësuesja e lartë Ashton është aktualisht në takim me Kryeministrin Daçiç dhe ekipin e tij. Kjo do të pasohet nga një takim dypalësh të Ashton me kryeministrin Thaçi dhe ekipin e tij. Takimi i Përbashkët do të ndiqet më pas", - thuhet në njoftimin për media./Indeksonline/