Vetëvendosje: Xhabirët e Komunës së Kaçanikut

Më 23 Maj 2013 Lëvizja Vetëvendosje! në Kaçanik i adresoi 3 kërkesa në Komunën e Kaçanikut, pra që 45 ditë apo 1 muaj e 15 ditë, dhe rrjedhimisht ka kaluar çdo afat ligjor për kthim të përgjigjes për kërkesat e adresuara, thuhet në një komunikatë të VV-së.Në bazë të ligjit nr. 03/L-215, Neni 1 për çasje në dokumente publike kemi bërë 3 kërkesa dhe ato janë adresuar në këto drejtori: Drejtoria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë ( nr i protokollit është 08 320-14309 ), Drejtorisë së Administratës ( nr i protokollit është 02 16-14311 ) dhe në Qendrën për regjistrimin e bizneseve ( nr. i protokollit është 05 16-14306 ), sipas Nenit 7 pika 8 e po këtij ligji thuhet qartë se: Institucioni publik obligohet që brenda shtatë (7) ditëve, prej kohës së regjistrimit të kërkesës, të nxjerr vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të japë përgjigje me shkrim për të arsyetuar refuzimin e plotë apo të pjesërishëm dhe informon kërkuesin për të drejtën që ai ka për parashtrimin e një kërkese për rishqyrtim. Refuzimi i kërkesës bëhet me aktvendim me shkrim për refuzim të saj.
Komuna e Kaçanikut me këtë formë të qeverisjes po konfirmon se nuk ka asgjë tjetër si mënyrë qeverisje përveç mungesës së transparencës për qytetarët e saj. Në këtë komunë legjislacioni për informim duket të jetë diçka e huaj plotësisht.
Të mos harrojmë se që nga viti 2008, në kohën kur drejtojnë kryetari më famëkeq, Xhabir Zharku, Komuna e Kaçanikut e ka mbyllur kutinë e ankesave me arsyetimin se Komuna është transparente në qasjet për dokumentacione publike, dhe për çfarëdo kërkese apo ankese ajo të bëhet drejtpërdrejt dhe fizikisht nga qytetarët duke mos u ruajt konfidencialiteti i ankuesit.
Lëvizja Vetëvendosje!, konsideron që transparenca në institucionet publike e komunale duhet të jetë në nivel të lartë, ngase ato duhet të jenë në shërbim të qytetarit dhe për çfarëdo kërkesa apo ankese eventuale komuna përkatëse apo institucioni përkatës duhet të jep përgjigje në bazë të normave ligjore, thuhet në fund të komunikatës së VV-së./Indeksonline/