E Shtunë, 31 Tetor 2026

Endira Bushati: Çastet e veshtira ne kkrt, pasi linda binjaket

TIRANE- Endira Bushati, është një nga ato personazhe me të cilat ia vlen të bisedosh. Është dashamirëse dhe ‘shkodranishtja’ e saj në të folur, i jep një tjetër ngjyrim bashkëbisedimit, duke e larguar nga ai formali, e duke iu qasur si pasojë më shumë, një komunikimi mes miqsh - ndonëse ky ishte takimi ynë i parë – të cilët udhëtojnë pas në vite, për të rrëmuar në sirtarët e kujtesës së një cikli të pasur jetësor. 

Një cikli të pasur me përvoja e ndjesi. E tillë është jeta e kryetares së KKRT-së, e cila lindi dhe u rrit në Shkodër, e rrethuar nga dashuria e prindërve, gjyshërve dhe të afërmve të tjerë, e që sot, me statusin e një nëne të re, përpiqet që çdo copëz të asaj dashurie ta ndajë me binjaket e saj, Ava dhe Olivia, ashtu siç ‘më të mëdhenjtë’ e mësuan. 

Znj.Endira, do ta nisim këtë intervistë me fëmijërinë tuaj. Si e kujtoni atë? 
E imja ka qenë një fëmijëri e lumtur. Gjithmonë e rrethuar me dashurinë e prindërve, gjyshërve dhe të afërmve të tjerë. Si “e preferuara” e gjyshit, kam pasur një status “të privilegjuar” në raport me fëmijët e tjerë të fisit. Gjyshi im, Masar Bushati, ka qenë një nga kontribuuesit më të shquar të arsimit në Shkodër, dhe përtej të qenit kryefamiljar, fjala e tij kishte autoritet të padiskutueshëm në familje, edhe pse nga natyra ishte person i qetë dhe i ekuilibruar. Ai, që në vitet e para përcaktoi që unë do të studioja për “fizikë bërthamore”, duke më përcaktuar kështu dhe si një fëmijë, nga i cili pritej shumë. Fatkeqësisht, u nda nga jeta pa parë as dëftesën time të klasës së parë. Tani që jam prind vetë, përpiqem ta kujtoj fëmijërinë time nga një këndvështrim tjetër. Mundohem të kujtoj në detaje se si më edukonin nëna dhe babai, që të sillem në të njëjtën mënyrë dhe me fëmijët e mi. Tani që kam moshën, kur fëmija gjykon prindin dhe shoh nga fëmijëria ime, ndjehem e lumtur që, përtej dashurisë që çdo fëmijë ka për prindërit, konstatoj se kam prindër idealë. Babai me angazhimin e tij maksimal, këmbënguljen, me një frymë liberale dhe gjithmonë në kërkim të rrugëve ku unë mund ta shprehja veten më mirë, nëna me seriozitetin, prakticitetin, përkujdesjen dhe dashurinë e saj, më kanë udhëhequr drejt ekuilibrit mes shpirtërores dhe racionales. 
Cilat ishin lojërat e tua të preferuara? 
Nuk kam qenë vajza që luaja me kukulla, por vajza që luante me top me djemtë e lagjes. Kam qenë fëmijë shumë i lidhur me sportin, ndiqja shumë sport në tv, aq sa dija përmendësh gjithë lojtarët e ekipeve të futbollit të kampionateve botërore të pas viteve 1986. Janë të papërshkrueshme vuajtjet e mia si fëmijë, që nuk doli kampione Gjermania në Kampionatin Botëror të 1986. Djemtë e lagjes, kur nuk u kujtohej ndonjë lojtar, më pyesnin mua. Nga klasa e tretë deri në gjimnaz kam qenë në klasë sportive për basketboll, madje mësuesit vlerësonin që mund të ecja përpara në këtë sport. Ngarkesa në mësime e gjimnazit dhe vështirësitë e fillimviteve '90-të ishin shkaku që e braktisa përfundimisht këtë pasion timin.
Ju kanë rrahur ndonjëherë prindërit?
Asnjëherë. Konsiderohesha "fëmijë i mirë dhe i dëgjueshëm".
Po bërtitur? Për çfarë ju bërtisnin zakonisht?
Nuk më bërtiste, por më qortonte kryesisht mami, se nuk bëja punët e shtëpisë.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)
(m.a/summer pages/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›