E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia dhe mineralet zbusin deficitin

Tregtia me jashtë, INSTAT: Eksportet rriten 114%. Rigjallërohen fasonët

Tregtia me jashtë ka hyrë në një fazë zhvillimi pozitiv për vendin, sidomos në pjesën e parë të vitit, ku vihen re shenja të zbutjes së deficitit. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se në muajin maj, deficiti tregtar ishte 23,8 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 7.6 përqindësh krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 19.2 përqindësh krahasuar me majin 2009. Ndikim në uljen e deficitit kanë dhënë sektori i energjisë elektrike dhe mineralet, të cilat i kanë rritur eksportet në nivele të konsiderueshme. Të dhënat flasin se eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit me 163 për qind, krahasuar me muajin prill 2010. Sipas KESH-it, eksporti i energjisë ka kapur majat e rekordit, në rreth 75 milionë euro në 6 muaj aktivitet, kurse mineralet janë duke përfituar nga rritja e çmimeve në tregjet e huaja. Konkretisht, eksportet në muajin maj regjistruan një nivel prej 17,6 miliardë lekësh mallra, me rritje 41.3 për qind në krahasim me muajin prill 2010 dhe rritje me 114.5 për qind në krahasim me majin 2009, ndërsa importet ishin 41,5 miliardë lekë, me rritje 8.4 për qind, në krahasim me muajin prill 2010 dhe rritje 10 për qind në krahasim me majin 2009.

Sa i takon grup-mallrave, eksporti i ushqimeve, pije dhe duhan u rritën me 20.5 për qind, produktet kimike dhe plastike me 17.7 për qind, ndërsa eksporti prodhimeve të drurit dhe letrës janë ulur me 7.4 për qind etj. Të dhënat flasin për një rigjallërim të tregut të fasonëve, prodhuesve të veshjeve, me lëndë të parë nga jashtë. Sipas INSTAT-it, importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 25.1 për qind, kurse pjesa e “Tekstileve dhe këpucëve” u rrit me 16.3 për qind. Treguesi tjetër i rritjes së investimeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, pati një zhvillim prej 23.3 përqindësh. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian është 62 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›