Infeksionet në metropol, nga hepatiti te leshmanjoza
Pakkush e di, por sëmundjet infektive, të cilat shpesh herë i dëgjojmë të jenë probleme shëndetësore në zonat e thella dhe rurale, janë të pranishme edhe në një metropol siç është Tirana.
Shpesh herë pacientët, të cilët dyshohen se janë të prekur nga sëmundjet infektive, drejtohen për ndihmë në Shërbimin e Infektivit pranë qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, dërgohen për ekzaminim në laboratorin e Institutit të shëndetit Publik, por kryesisht pranë Drejtorisë së Higjienës Tiranë.
Pranë kësaj strukture, të gjithë qytetarët kryejnë analiza, marrin këshilla, informacion, si dhe drejtohen pranë strukturave përkatëse për t’u trajtuar apo për të marrë shërbim të specializuar spitalor. Po ashtu, Drejtoria e Higjienës mban kontakte të vazhdueshme dhe periodike me shërbime të caktuara të përditshme për sa u takon sëmundjeve infektive, si dhe rasteve që paraqiten çdo ditë në urgjenca. Nisur nga evidentimi i të dhënave, në rrjetin e informacionit për këto gjashtë muaj edhe në kryeqytet janë evidentuar raste të të prekurve me sëmundje infektive si hepatiti, leshmanjoza, bruceloza, ethet hemorragjike apo dizenteria.
AnalizaSipas Drejtorisë së Higjienës, për këto 6 muaj kemi një ulje të infeksioneve respiratorë dhe diareike, kjo krahasuar me të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar. Po ashtu janë evidentuar katër raste me brucelozë, brenda gjashtë muajve, kryesisht pacientët kanë qenë nga zonat periferike të qytetit. Plot 13 raste janë konfirmuar si të prekur me hepatite B dhe C. Konkretisht kanë qenë 7 raste nga qyteti dhe 6 nga fshatrat e Tiranës. Leshmanjoza, ose e njohur ndryshe si sëmundja e qenit, ka prekur brenda 6 muajve dy qytetarë tiranas. Sipas higjienës, rastet e paraqitura me brucelozë kanë qenë rastet e katër barinjve, të cilët kanë emigruar në Greqi. Por, sipas mjekëve atje, nuk kanë marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor, duke u kthyer në atdhe për të përfituar kujdes dhe shërbim shëndetësor për sëmundjen e brucelozës. Sakaq, në kryeqytet muajin e fundit janë paraqitur në qendrën spitalore universitare, “Nënë Tereza”, rastet e 5 pacientëve të prekur nga ethet hemorragjike, edhe kjo sëmundje ngjitëse, si pasojë e pickimit nga këpusha, apo siç njihet në zonat veriore, rriqna.
Sëmundjet infektiveBruceloza është një sëmundje që është shfaqur në vendin tonë pas viteve ‘90, por nga viti në vit po rrit numrin e të prekurve. Shkaktari kryesor i saj janë bagëtitë, sidomos ato të imtat, ku futen dhentë dhe dhitë. Kjo sëmundje në Shqipëri njihet me dy emra: brucelozë dhe militencë, që është një sëmundje infektive. Mund të kalojë shumë shpejt nga njëra kafshë e infektuar te tjetra. Deri më sot njihen katër specie patogjene të brucelave.
Sëmundja e brucelozës është një nga sëmundjet që transmetohen shumë thjeshtë te njerëzit, por që kërkon shumë kohë për t’u kuruar. Njerëzit infektohen me rrugë të ndryshme, duke përdorur qumështin e papërpunuar, si dhe produktet e tij.
Sakaq, pacientët e prekur nga leshmanjoza shfaqin temperaturë të lartë, zmadhim të mëlçisë dhe të shpretkës, humbje të rruazave të kuqe të gjakut, anemi, këputje të përgjithshme të trupit. Kjo sëmundje është kronike, por edhe vdekjeprurëse për të gjitha moshat e prekura prej saj. Sipas specialistëve, bartës kryesor i sëmundjes së leshmanjozës janë qentë e rrugës, që ushqehen me mbeturina ushqimore, të cilët e transmetojnë sëmundjen te njerëzit, nëpërmjet kontakteve fizike me ta.
#