Biggam: Apeli duhet të rrëzojë vendimin që dënon Top Channel

Nuk reshtin reagimet në mbështetje të lirisë së fjalës së lirë në vend, pas dënimit me gjobë të “Top Channel” për zbulimin e skandalit seksual të ish-ministrit Ylli Pango. Dje ka reaguar një organizëm i rëndësishëm, siç është Shoqëria e Televizioneve Komerciale në Europë (ACT) me qendër në Bruksel. Drejtori i Përgjithshëm i këtij organizmi, Ross Biggam, në një prononcim nga Brukseli, theksoi: “Ajo çka duhet bërë është që të shqyrtohet rasti sipas standardeve europiane. Në këndvështrimin tim, nëse një gjë e tillë do të kishte cenuar këdo tjetër në Europë, gazetari do të mbronte tezën se ky regjistrim ishte e vetmja mënyrë për të pasur ngjarjen dhe se ishte në interes të publikut që të njihej me të. është më se e qartë që ishte e vetmja mënyrë nga pikëpamja e Brukselit e që publiku shqiptar duhet të vihej në dijeni të kësaj historie. Ne u befasuam kur dëgjuam vendimin e gjykatës. Ne kuptojmë që duhet të ketë apelim të vendimit dhe unë pres që Apeli në Shqipëri do ta kthejë atë mbrapsht. është e sigurt që do të ishte hedhur poshtë nëse çështja do të apelohej në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Sigurisht që për Strasburgun, për sa i takon rastit të ‘Top Channel’, sikundër dhe ndaj çfarëdo lloj transmetuesi tjetër shqiptar, që do të ndodhej në situatë të ngjashme, ne do të jemi të përgatitur për t'i ndihmuar ata. E di që Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve është në dijeni dhe ata ju mbështesin, sikundër shumë organizata të tjera europiane të mediave, apo OSBE me qendër në Vjenë. Pra ka shumë vullnet të mirë nga Europa ndaj procesit të apelit në Shqipëri. Ne e dimë që edhe vendet që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Europian, janë pjesë e procesit europian dhe duhet të pranojnë standardet europiane, të Këshillit të Europës dhe të procesit anëtarësues në BE. Sigurisht që për sa na takon neve në Bruksel, këtë çështje do ta përcjellim mirë në vëmendjen e autoriteteve europiane, sepse është rast serioz i fyerjes së të drejtave të gazetarëve dhe transmetueseve për të bërë punën e tyre”.
OSBEDy ditë më parë ka reaguar edhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, e cila ka shprehur shqetësimin mbi gjobën e madhe ndaj një televizioni kombëtar në Shqipëri, i cili është i detyruar të paguajë një politikan, duke shtuar se masa e gjobës është disproporcionalisht e lartë. Në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, Mijatoviç theksoi se “dëmshpërblimi për dëme morale duhet të jetë në proporcion të dëmit të shkaktuar dhe me situatën ekonomike në media apo gazetarit të përfshirë dhe kjo nuk duhet të krijojë një efekt negativ në situatën e medias në fjalë. Roli vëzhgues i medias në çdo shoqëri demokratike kërkon gazetari investigative, duke përfshirë edhe shqyrtim të sjelljes dhe etikës së një zyrtari të qeverisë. Filmimi i ‘Top Channel’ synonte pikërisht këtë, që të hidhte dritë mbi qëndrimin profesional të një zyrtari dhe akuzave për abuzim”. Ndërkaq, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi pak ditë më parë se Brukseli po ndjek me vëmendje të gjitha shqetësimet për cenimin e lirisë së medias. Ndërkaq, politikani i lartë europian, Joseph Daul, kryetar i grupit parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Europian, ka deklaruar se nëse do të ishte kryeministër, do ta shkarkonte Pangon pas disa minutash.
Arta Tozaj “Top Channel”
#