Energjia, italianët kërkojnë licencë
Sektori energjetik shqiptar ka ngjallur interesin e kompanive të huaja. Sipas burimeve nga Enti Rregullator i Energjisë, kompania italiane “Moncada” ka aplikuar për marrjen e licencës për prodhimin e energjisë nga era. Kjo kompani parashikon ndërtimin e një parku për prodhimin e energjisë nga era në zonat e Karaburunit dhe të malësisë së Kurveleshit. Krahas këtij parku të madh energjetik, kompania ka projektuar dhe ndërtimin e një linje 400 kV nënujore të transmetimit të energjisë nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërkohë, përveç projekteve për ndërtimin e veprave të reja të prodhimit të energjisë, qeveria është në prag të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Kompanitë që janë futur në garë janë ENEL, EVN, CEZ dhe Energy Steiermark AG. Privatizimi i OSSH-së është kërkuar me ngulm nga përfaqësuesit e Bankës Botërore si dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vetëm pak kohë më parë qeveria miratoi kriteret për kompanitë që duan të marrin pjesë në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria, investitorët që duan të blejnë OSSH-në duhet të kenë një eksperiencë të mirë në tregun e energjisë. Kompanitë që duan të marrin pjesë në tender duhet të kenë një biografi të pastër. Ky është një nga kushtet e vendosur nga qeveria. Sipas kritereve të miratuara nga qeveria, këta investitorë për tre vitet e fundit duhet të kenë pasur një vlerë neto jo më pak se 1 miliard euro. Gjithashtu investitorët përpara se të marrin pjesë në tender duhet të garantojnë që nuk janë në proces falimentimi apo likuidimi dhe se nuk ndiqen për mashtrime, korrupsion apo për pastrim parash.