Nis pelegrinazhi në Baba Tomorr
BERAT - Kanë nisur dje festimet dhe pelegrinazhet në Teqen e Kulmakut në malin e Tomorrit, pranë varrit të Abas Aliut. Festa e përvitshme e besimtarëve bektashinj ka pritur dje pelegrinët e shumtë nga të gjitha trevat e Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Teqeja e Kulmakut, si një nga vendet më të shenjta të besimtarëve bektashinj, do të presë tri ditë në vazhdim një numër të madh pelegrinësh dhe persona të tjerë që shkojnë në këtë vend të bekuar të Baba Tomorrit. Pjesë e riteve të festës është therja e kurbaneve. Për të siguruar rendin dhe qetësinë e mijëra pelegrinëve që do të kalojnë ditët në këtë vend të bekuar, janë marrë të gjitha masat e nevojshme nga Drejtoria e Policisë së Beratit. Rreth 50 forca të Policisë së Rendit të shoqëruar me automjete, të cilat i përshtaten terrenit malor, do të qëndrojnë të gatshëm për të siguruar mbarëvajtjen e festës. d.xh