E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, më shumë kilovatë në rrjet

25/06/2009  Korporata Elektronenergjetike ka eksportuar 88.3 GWh energji gjatë muajve të parë të vitit 2009

Prodhimi është rritur 34,1 për qind në krahasim me një vit më parë

Sektori energjetik ka shtuar burimet e prodhimit. Të dhënat konfirmojnë një situatë mjaft të mirë të furnizimit me energji. Tre muajt e parë të këtij viti, prodhimi i energjisë elektrike është rritur me 34,1 për qind. Kjo krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja ka ndikuar në uljen e ndjeshme të importeve dhe kufizimeve. Madje kjo situatë e ka favorizuar Korporatën Elektroenergjetike, e cila për herë të parë ka arritur të eksportojë 88.3 GWh energji gjatë 2 muajve të parë të vitit. Treguesit pozitivë të këtij viti kanë pasuar ato të një viti më parë, kur burimet e energjisë elektrike gjatë 2008 u rritën 12,4 për qind, krahasuar me vitin 2007. Ndërsa të dhënat e Institutit të Statistikave konfirmojnë se prodhimi total i energjisë elektrike në vend gjatë vitit 2008 u rrit me 30,6 për qind krahasuar me vitin 2007.

Prodhimi i HEC-eve private

Sektori privat i energjisë elektrike gjatë vitit 2008 u përfaqësua nga 15 shoqëri private për prodhim. Gjithsej, sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, kanë funksionuar 46 HEC-e me fuqi të instaluar deri 10 MVA. Nga këto 7 janë kompani koncensionare, ndërsa 8 janë shoqëri private. “Politika e qeverisë ndaj këtij sektori ka qenë një politikë nxitëse dhe inkurajuese për zhvillimin sa më efektiv të tyre me objektiv rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike lokale dhe zhvillimin e punësimit dhe infrastrukturës në zonat më të thella rurale”, - theksojnë drejtues të ERE-s. Sa i përket çmimit të shitjes së energjisë nga këta prodhues, kanë pasur tendencë të vazhdueshme të rritjes, për t’i lejuar atyre subjekteve të licencuara të krijojnë mundësi rinovimi teknik dhe teknologjik të objekteve të tyre. Vitet 2007 dhe 2008 kanë qenë hidrologjikisht vite mjaft të thata dhe kjo sipas ekspertëve është reflektuar me një rënie prodhimi nga ana e HEC-eve me fuqi të vogël. Prodhimi gjithsej nga sektori privat në vitin 2008 përbënte vetëm 0.99 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në shkallë vendi.

Të ardhurat nga shitja

Viti i kaluar ishte një vit i thatë, gjithsesi ai përfaqëson prodhimin më të lartë të të gjithë periudhës me 62.026 GWh. Sipas të dhënave të ERE-s, prodhimi i energjisë elektrike në vitin 2008 është 0.17 për qind më i lartë se në 2006-n. Por të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike kanë qenë 16.9 për qind më të larta. Kjo, sipas drejtuesve të ERE-s, tregon mbështetjen që ju është dhënë këtyre subjekteve për rinovim teknologjik dhe rritje të eficiencës nga centralet e tyre.

Kontratat

Gjatë tre viteve të fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, janë lidhur kontrata koncesionare për ndërtimin e HEC-ve me kapacitet 1 mijë MGW dhe me vlerë 2.2 miliardë euro. Një pjesë e tyre aktualisht janë në ndërtim. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe u lidhën kontrata për 2 parqe me erë, me kapacitet 850 MW dhe me një investim prej rreth 1.1 miliardë eurosh. Gjithçka me synimin për të siguruar furnizimin e pandërprerë me energji, si rrjedhojë e reformave të vazhdueshme rrënjësore të qeverisë në sektorët e ekonomisë dhe energjetikës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›