Energjia për janarin, KESH garanton importin
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka siguruar import të qëndrueshëm me energji elektrike për muajin janar falë kontratave të lidhura në fundin e dhjetorit 2008. Kërkesa për import iu dërgua 20 kompanive dhe në përfundim, pas një negocimi të suksesshëm, u lidh kontrata me shoqëritë "Gen-i", Slloveni dhe EGL, Zvicër, të cilat ofruan çmimin më të ulët të mundshëm. Sasia e importit për muajin janar po kontraktohet në kuadër të detyrimit kontraktual që KESH-i ka ndaj OSSH-së në përputhje me planin e masave, si edhe optimizimin e portofolit ekonomik të korporatës. Konkretisht, KESH siguroi nga "Gen-i" një sasi prej rreth 7 milionë kilovat energji elektrike, me çmim 48 euro/MWh, ndërsa nga EGL do të marrë rreth 3 milionë kilovatë, me çmim 49 euro/MWh. Në total për të gjithë importin me dy kompanitë KESH do të shpenzojë rreth 500 mijë euro.