Enrico Letta emërohet Kryeministër i Italisë
Një funksionar i majtë që ka lidhje familjare me të djathtën shikohet si kompromis për ti dhënë fund krizës
Enrico Letta u emërua Kryeministër i Italisë dhe iu kërkua nga Presidenti Giorgio Napolitano të krijojë një koalicion me bazë të gjerë. Emërimi i Lettas, i cili aktualisht është nënkryetar i Partisë Demokratike, grupi kryesor i së majtës, mund tu japë fund dy muajve krize politike.
Zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në shkurt e lanë vendin pa fitues të qartë. Në një deklaratë, Letta tha se si Kryeministër do të synojë të ndryshojë shtegun e shkurtimit të shpenzimeve në rang europian. Politikat europiane janë tepër të fokusuara te shkurtimi i shpenzimeve, të cilat nuk janë më të mjaftueshme, tha ai pas një takimi me dyer të mbyllura me Presidentin në Romë.
Letta duhet të krijojë tashmë një qeveri e cila duhet të fitojë mbështetje si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Fraksione të ndryshme nga i gjithë spektri politik kanë bërë të ditur se tashmë janë të gatshëm të krijojnë një qeveri nën udhëheqjen e Lettas.
Ai është nipi i shefit të shtabit të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, Gianni Letta, dhe shihet si i moderuar dhe i pranueshëm nga qendra e djathtë.
Një aleancë e gjerë do të përfshijë edhe partinë e Berluscon-it, gjë që do ta bëjë atë sërish një figurë politike të rëndësishme. Afrimi i rivalëve të ashpër të politikës italiane u pa si e vetmja rrugë për ti dhënë fund bllokimit parlamentar dhe për të krijuar një qeveri. Por një martesë e detyruar mund të mos zgjasë gjatë.
Qeveria e re pritet të përpiqet të zbatojë një seri të kufizuar reformash ekonomike dhe institucionale. Mes prioriteteve, duhet të jetë edhe ndryshimi i ligjit aktual elektoral. Kjo do të shërbejë për të siguruar se zgjedhjet e ardhshme do të japin një rezultat më të qartë dhe do të krijojnë një mazhorancë më funksionale.
Emërimi i Letta-s erdhi pasi Presidenti Napolitano u betua të hënën për mandatin e tij të dytë, mandat që iu dha pasi palët nuk qenë në gjendje të emëronin një kandidat të përbashkët për President.
Pasi mori mandatin e dytë, i cili është i paprecedentë në historinë e Italisë, ai u tha deputetëve se janë fajtorë për një numër të madh dështimesh dhe se paaftësia e tyre për të zbatuar reformat kyçe është e pafalshme.
Ai ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse nuk krijohet një qeveri funksionale.
Profili
Enrico Letta, i emëruar Kryeministër
Dikur ka qenë anëtar i ri i një partie të krahut të djathtë.
Aktualisht është nënkryetar i Partisë Demokratike.
Më 1998 u bë ministri më i ri në historinë e Italisë, qe 32 vjeç.
Ai ka mbajtur shumë poste ministrore.
Xhaxhai i tij është ndihmës i ish-kryeministrit të djathtë, Silvio Berlusconi.
Sot 46 vjeç, ai tha se e ka pranuar detyrën duke e ditur se përbën një përgjegjësi të stërmadhe dhe se klasa politike në Itali ka humbur të gjithë besueshmërinë.
Enrico Letta emërohet Kryeministër i Italisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email