“Enver Hoxha” i Fevziut, një biografi që duhet lexuar
Si e shohin librin “Enver Hoxha” të autorit Blendi Fevziu studiuesi Aurel Plasari, historiania Nevila Nika, gazetari Baton Haxhiu dhe një njohës i mirë i librit dhe medias si Remzi Lani
Një libër që i ka shitur deri tani 32 mijë kopje dhe që ende kërkohet nga një treg i etur për të pasur biografinë e parë bazuar në dokumente për Enver Hoxhën, diktatorin më të egër të bllokut komunist të Lindjes. Por përtej tirazheve rekord që libri i Blendi Feziut “Enver Hoxha” ka shënuar në tregun mbarëshqiptar të librit, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, diskutimet dhe debatet rreth tij janë ndalur mbi faktet, dokumentet, dëshmitë e rralla që gazetari Blendi Fevziu ka renditur me aq kujdes, duke skalitur figurën e vërtetë të një njeriu që mbajti peng Shqipërinë për 50 vjet me radhë, por që, pasi ke lexuar këtë libër, bindesh se shumë gjëra nuk i ke ditur e shumë të vërteta të janë fshehur. Ndoshta për këtë arsye, biografia e gazetarit Blendi Fevziu vazhdon të mbajë gjallë debatin rreth figurës së Enver Hoxhës edhe pas 20 vjetësh pluralizëm. Ata që e kanë lexuar kanë kuptuar shumëçka, ata që refuzojnë ta lexojnë e kanë gjithsesi në fokusin e diskutimeve, e ata që presin ta blejnë nuk do t’i shpëtojnë tundimit për ta lexuar librin “Enver Hoxha” të autorit Blendi Fevziu. Por si e shohin librin e autorit Blendi Fevziu studiuesi Aurel Plasari, historiania Nevila Nika, gazetari Baton Hxhiu, dhe një njohës i mirë i librit dhe medias si Remzi Lani.
Aurel Plasari: “Enver Hoxha”, një libër që duhet lexuar
Aurel Plasari është një ndër ata që Fevziu nuk harron kurrë ta falënderojë për ndihmën që i ka dhënë për të shkruar të parën biografi të udhëheqësit komunist të shqiptarëve. Për Plasarin, libri i Blendi Fveziut titulluar “Enver Hoxha”, është një libër që asesi nuk duhet humbur për t’u shfletuar. “Libri i Blendi Fevziut është një libër i mirë, një libër që duhet lexuar. Sigurisht që ne jetojmë në një shoqëri ku është normale që ka dhe njerëz që nuk duan ta lexojnë ose të mos e pëlqejnë. Ata që nuk e pëlqejnë e kanë një alternativë, kanë disa tonelata me kujtimet e Enverit dhe të vazhdojnë të ushqehen me to. Të tjerët, që janë mbingarkuar dhe neveritur nga ato tonelata, është mirë të lexojnë librin e Fevziut. Në një mjedis ku ka sundimin e vet edhe kultura e thashethemit Fevziu i është ruajtur me shumë kujdes dhe i ka qëndruar larg asaj kulture. Mendoj se kjo është falë profilit të Blendi Fevziut si gazetar dhe tiparit të tij kryesor si gazetar i qytetëruar. Përsa i përket marrëdhënieve me historianët, autori i librit është në rregull, sepse historianët e kanë shumë të nevojshme largësinë në kohë, distancimin e ngjarjeve, jo aq për faktet sesa për interpretimin e tyre. Si të themi, për ta kjo është një periudhë distancimi pjekurie, që, kur të vijë momenti, historiani t’i lërë faktet me barrë. Kjo do kohë, do mjaft vite që të vijë. Gazetarët në këtë aspekt janë më të shpejtë me këto lloj botimesh dhe librash”.
Baton Haxhiu: Pas këtij libri, Hoxha për Kosovën nuk ekziston më
Një prej të vërtetave më të rëndësishme që Blendi Fevziu zbulon me dokumentet që sjell në këtë libër janë padyshim raportet e Enver Hoxhës me Kosovën. Për gazetarin dhe analistin Baton Haxhiu, pasi kosovarët të lexojnë këtë libër, Enver Hoxha nuk do të ekzistojë më për ta. “Realisht Blendi Fevziu si gazetar e ka arritur maksimumin e historisë së rrëfimit për Enver Hoxhën. Ai e ka bërë Enver Hoxhën që të flasë në variantin më të keq të mundshëm edhe për ata që Hoxha u ka bërë të mira ose copa të mira. Në jetën e tij politike Fevziu e shfaq totalisht të zhveshur. Sidomos në raport me Kosovën, ai ka bërë një kthjellje te ne, që kemi besuar se Enver Hoxha ka bërë diçka për Kosovën. Realisht kjo është edhe një dhimbje, për arsye se njerëzit në Kosovë kanë ndërtuar një iluzion për figurën e Enverit dhe t’ua rrënosh me librin e Fevizut do të thotë t’i kthesh në një periudhë të vuajtjes së dytë. Sepse shumica e njerëzve në Kosovë e kanë pas një vuajtje për shkak të Enver Hoxhës, për shkak të bindjes që kanë pas se Enver Hoxha ka qenë njeriu i duhur. Libri i Blendi Fevziut për herë të dytë i ka bërë këta njerëz të vuajnë për atë që kanë qenë dikur dhe kjo është dhimbja më e madhe. Është dashur kjo e vërtetë e Kosovës, se, pa këtë të vërtetë, ne nuk kemi mundur të shohim përpara; pa këtë të vërtetë, nuk kemi mundur të ndahemi nga konflikti dhe urrejtja njëri me tjetrin; dhe fakti që kjo urrejtje është ndërtuar mbi figurën e Enver Hoxhës dikur, tash është diçka që është tejkaluar. Ata që e kanë lexuar librin dhe e kanë përfolur librin në Kosovë kanë kuptuar një gjë që tash e kanë mbyllur kapitullin me Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe Shqipëria e Enver Hoxhës për ne në Kosovë nuk ekziston më”.
Nevila Nika: Shqiptarët kanë etje për libra të tillë
Drejtoresha e Arkivit Qendror, Nevila Nika, ka ofruar gjithë ndihmën e institucionit që drejton për autorin Blendi Fevziu, për të ndërtuar me sa më vërtetësi figurën e Enver Hoxhës. Por në këtë rast ajo preferon të flasë si një ndër lexueset e para të librit. “Unë kam pasur fatin ta lexoj librin para se të dalë në shtyp. Nëse do të nisesha si lexuese dhe jo si arkiviste apo historiane, mund të them se është një libër jashtëzakonisht i këndshëm, që e lexon me një frymë. Duke pasur parasysh se shqiptarët janë një popull pak sa i veçantë, që kanë ditur shumë pak edhe për vitet e kaluara, por edhe për ditët që jetonin, ky libër është kaq i kërkuar dhe dëshiruar nga publiku, për shkak se është një pasqyrim i asaj që ne jetuam dhe që shpesh herë mundohemi dhe ta harrojmë, por në fakt kujtesë duhet të kemi edhe për atë kohë. E duke qenë një popull pak i informuar, por edhe kur e kishim informacionin ishim të keqinformuar, gjithmonë do të ketë etje për të lexuar libra të tillë, për qenë sa më afër të vërtetës”.
Remzi Lani: Kjo Biografi është thelbi i profilit politik dhe njerëzor të Enver Hoxhës
Përkundër zërave se libri i Enver Hoxhës, i Blendi Fevziut, nuk është mirëfilli biografi, një njohës i mirë i librit, por dhe i medias, Remzi Lani thotë se me këtë libër Blendi Fevziu ka kapur thelbin e profilit politik dhe njerëzor të Enver Hoxhës. “E para, mendoj se ky është një libër që sjell disa gjëra të reja. E dyta, libri është organizuar në një mënyrë shumë interesante, ku nuk merr përsipër të bëjë biografinë e gjithë jetës së Enver Hoxhës. Në traditën e botimeve biografike (p.sh. si të Montefiores), Fevziu ka kapur një aspekt të figurës së Enver Hoxhës: sesi ai ua hëngri kokën njëri pas tjetrit të gjithë miqve dhe armiqve të vet. Kjo është linja që ka ndjekur Fevziu, dhe kësaj linje i qëndron deri në fund, dhe këtë linjë ai e përshkruan me siguri. Biografi të tjera mund të kapin aspekte të tjera të Enver Hoxhës, p.sh. marrëdhëniet e tij me botën apo mosmarrëdhëniet e tij me botën, ideologjinë e Enver Hoxhës apo mosideoligjinë etj. Por ky libër ka kapur atë që është në të vërtetë thelbi i profilit politik dhe njerëzor të Enver Hoxhës: eliminimin e miqve dhe armiqve, të çdo gjëje që atij i dilte përpara.” Por Lani vlerëson ndër të tjera edhe stilin e të shkruarit të gazetarit Blendi Fevziu. “Përveç të tjerave, them se është një libër i shkruar jashtëzakonisht bukur. Unë kam pasur rastin ta lexoj në proces, që kur Blendi kishte 50 faqet e një boceli, dhe është një libër i shkruar mjaft bukur e tërheqës. Në biografi si këto ka shumë rëndësi edhe mënyra sesi shkruhet, nganjëherë mundet që edhe një personazh aspak tërheqës të përshkruhet me mjetet tërheqëse të të shkruarit dhe Blendi ka arritur ta bëjë këtë”.