Dhuna në familje, Shqipëria firmos konventën e KiE
Shqipëria nënshkruan në Strasburg Konventën e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, dokument ligjor që përcakton një axhendë të re në lëvizjen në mbrojtje të të drejtave të grave. Në emër të qeverisë shqiptare, Konventa u nënshkrua nga ministri i Punës, Spiro Ksera, ndërsa nga Këshilli i Europës dokumenti u firmos nga zv.sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Maud de Boer-Buquiçhio, një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut dhe promovuese e barazisë gjinore. Gjatë takimit me zv.sekretaren e Këshillit të Europës, ministri Ksera deklaroi se qeveria shqiptare është e angazhuar për t’iu bashkuar vendeve europiane në parandalimin dhe eliminimin e çdo forme dhune ndaj grave dhe se Shqipëria po rishikon legjislacionin penal me qëllim ashpërsimin e dënimeve për dhunuesit. Pas miratimit në Strasburg, Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” pritet të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë në fillim të vitit 2012, duke e bërë atë pjesë të legjislacionit shqiptar.