Sebastiano Grasso, si e kam njohur mikun tim Ibrahim Kodra
Gazetari i njohur i faqeve kulturore në ‘Corriere della Sera’ erdhi për herë të parë në Shqipëri në panairin e librit “Tirana 2011”, për të prezantuar librin e tij me poezi. Për Shqipërinë kishte dëgjuar nga miku i tij i ngushtë Ibrahim Kodra
Kur mendohet për poezi moderne mendja të shkon te hermetizmi apo te vizionet abstrakte, por poezia e Sebastiano Grasso-s është konsideruar si një poezi e qartë, e thjeshtë dhe mjaft komunikuese. Për herë të parë gazetari i njohur i faqeve kulturore në Corriere della Sera, Sebastiano Grasso, erdhi në Shqipëri në panairin e librit “Tirana 2011”. Për Shqipërinë kishte dëgjuar nga miku i tij i ngushtë Ibrahim Kodra. Më vonë “gjezdisi” nëpër Shqipërinë e piktorit përmes librave të Ismail Kadaresë. Por e ceku për herë të parë “vendin e shqiponjave”, siç e etiketojnë shpesh vendin tonë fqinjët italianë, në nëntor të këtij viti, për të promovuar librin e tij me poezi titulluar “Ti, në grackën nën qepalla”. “Poezia ime mund të mos i pëlqejë lexuesit, por gjithsesi ajo është e kuptueshme.”- thotë Grasso në intervistën e tij për MAPO-n. Ai i jep shumë rëndësi të kuptuarit, komunikimit me lexuesin në mënyrë të hapur. “Duket sikur mes jetës dhe poezisë së Grasso-s nuk ka kufij, por jeta vazhdon normalisht te poezia e tij, e cila pa asnjë mur, pa asnjë ndarje shkon po aq natyrshëm në jetë”- do ta cilësonte poezinë e mikut shkrimtari shqiptar Visar Zhiti. Autori e pranon se të gjitha poezitë e tij flasin për dashurinë e një gruaje të vetme, e cila, me sa duket, tronditi jetën e tij duke e rikthyer përsëri te dashuria që e kishte braktisur prej 20 vjetësh... poezia. Por teksa lexon disa prej tyre kupton se në fakt ato poezi asesi nuk mund t’i përkasin vetëm një gruaje, por në mënyrë universale ato i përkasin veçse dashurisë.
Përse zgjodhët që nga kolana juaj me poezi të prezantoheni për herë të parë te lexuesi shqiptar me vëllimin “Ti, në grackën nën qepalla”?
Libri që botohet nga shtëpia botuese “Eugen” është në fakt një nga veprat më të shitura në Itali dhe është përkthyer në shumë vende të botës. Së fundmi është përkthyer edhe në rusisht me parathënie nga Evgeni Jevtushenko. Më parë është botuar në Spanjë, me parathënie të nobelistit Jose Saramango e në arabisht me parathënie të shkruar nga Adonis. Po kështu në Itali janë shkruar recensa nga Mario Luzi, që është një autoritet i mendimit dhe poezisë bashkëkohore italiane dhe botërore. Do të jem shumë i lumtur nëse ato do ta japin sado pak në shqip emocionin tim. Për Shqipërinë, që edhe e vizitova për herë të parë në promovimin e librit tim në Panair, kam dëgjuar për të nga miku im Ibrahim Kodra.
Çfarë kujtoni nga miku juaj shqiptar?
Kur erdha në Shqipëri, teksa njerëzit flisnin shqip, unë nuk kuptoja asgjë. Në ato momente m’u kujtua miku im Kodra dhe një ndodhi e tij kur ishte akoma student në Akademinë Brera. Ai bashkë me 5 shqiptarë të tjerë që studionin atje ishin ftuar në Romë, në Pallatin Venecia, për të marrë pjesë në një ceremoni ku lartësohej fashizmi, ku Duçja mbajti një fjalim. Ibrahim Kodra në atë kohë jetonte në Milano, ku kishte shkuar me një bursë studimi. Në një moment pas diskutimeve zyrtare ishte radha e djemve shqiptarë që ishin ftuar të ishin aty dhe njëri prej tyre duhej të mbante një fjalim pro fashizmit, si përfaqësues i popullit fqinj. Studentët e tjerë shqiptarë shtynë Ibrahim Kodrën që ta mbante atë fjalim dhe ai u gjend në tribunë. Duke mos ditur çfarë të thoshte dhe i sigurt se asnjëri prej të pranishmëve në publik (përveç miqve të tij shqiptarë) nuk dinte shqip, ai filloi të numëronte në shqip një...dy... pas dyshit vjen treshi... pas treshit me siguri vjen... katra e pas saj pesa... Miqtë e tij shqiptarë që kuptonin gjuhën u vunë në siklet... e ai vazhdonte pas nëntës vjen numri dhjetë... Pas kësaj ai bërtiti: “Impero Romano!” Publiku në sallë që nuk kuptonte asnjë gjë duartrokiti me ovacione. Kështu ai numëroi deri në njëqind dhe pas çdo dhjetëshe në numëruar bërtiste Viva Italia... ose Roma... Duçe... etj., të vetmet fjalë që publiku kuptonte dhe ai merrte duartrokitje. Pas kësaj loje me fjalët dhe publikun në sallë dikush i afrohet Ibrahim Kodrës dhe i thotë: “Shok, përgëzime për fjalimin që mbajte. Ishte zëri i Shqipërisë për fashizmin. Ky fjalim do të hyjë në histori”. Sigurisht që ky fjalim hyri në histori, por për të tjera arsye. Ky ishte miku im Ibrahim Kodra.
Në profesion jeni gazetar, por në letërsi vini me poezi dashurie. Cila nga të dyja ka ndihmuar që librat tuaj të shiten?
Dua të bëj një falënderim për botuesin tim këtu në Shqipëri, sepse është një njeri i guximshëm, sepse vetëm një njeri që ka guxim merr përsipër të botojë një libër me poezi. Por dua të them se ky libër hyri shumë shpejt në tregun shqiptar. Gjithsesi, e rëndësishme është se poezia ime u botua. Normalisht librat e mi shiten në Itali. Shiten sepse unë përdor një gjuhë të qartë e të kuptueshme. Unë e kam këtë cilësi. Dikush mund ta lexojë dhe mund të mos e pëlqejë poezinë time, por kurrë nuk mund të thotë se nuk e kuptova, sepse poezia ime është e qartë.
Nga ju vjen kjo qartësi?
Qartësia vjen ngaqë kam punuar gjatë në gazetari. Dhe gazetari komunikon në mënyrë të hapur, është i drejtpërdrejtë dhe i lidhur shumë me të vërtetën. Gjëja e parë që na mësojnë kur nisim karrierën e gazetarit është që të shkruajmë qartë, në mënyrë që të na kuptojnë të gjithë. Unë kam shumë vite që punoj si gazetar dhe m’u kthye në një natyrë të dytë, prandaj kam këtë qartësi dhe jam kaq i hapur edhe në poezinë time. Kjo bën që unë me lexuesin të krijoj një marrëdhënie komunikimi të drejtpërdrejtë, pa nënkuptime. Duke qenë se ky është libri im i pestë me poezi kushtuar gjithmonë së njëjtës grua me të cilën kalova nëntë vjet e gjysmë, me botimin e tij në rusisht miku im Jevtushenko tha: “Këto libra u ngjajnë pesë volumeve të një sage. Volumi i tij i parë ishte më i zjarrtë dhe më i drejtpërdrejtë, i dyti pak më i qetësuar gjithnjë e më i qetësuar dhe të duket sikur ra pasioni, por u shtua meditimi dhe mendimi nga njëri volum të tjetrin”. Për mua e rëndësishme është se çdo lexues që merr librin tim, teksa e lexon, gjen vetveten dhe mjafton që në një moment të thotë: Po kjo më ka ndodhur dhe mua, vetëm s’kam ditur ta shpreh”- ky është dhe qëllimi i poezisë sime.