E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha, lutje sovjetikëve për të bërë filmin Skënderbeu

A don ti Gjin me luftue turqit? Du!. Kjo batutë nga filmi Skënderbeu, gati-gati është bërë pjesë e së folurës së përditshme. Por, derisa të bëhej e tillë, ka kaluar një rrugë të gjatë… Dëshira për të realizuar një film mbi Heroin Kombëtar kishte nisur qysh në kohën e Zogut. Ishte viti 1929. Do të kalonin plot 20 vjet që atëherë, kur vetë Enver Hoxha do ti dërgonte një letër Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, ku me përulësi i kërkonte që kineastët sovjetikë të realizonin një film për Skënderbeun.Ishte kjo fillesa e realizimit të filmit Skënderbeu, bashkëpunimit kinematografik shqiptaro-rus, i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm aso kohe dhe u nderua me çmime të mëdha në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Të gjitha këto fakte, e shumë të tjera, na i servir në librin e tij, Arti i shtatë në Tiranë, autori Spiro Mëhilli. Dje, Mëhilli, autor edhe i shumë librave të tjerë artistikë dhe eseistikë, bëri promovimin e librit të tij më të fundit në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, institucion që edhe e ka mbështetur financiarisht botimin e kësaj vepre. Një libër të ndershëm e ka quajtur drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, duke shtuar se libra të tillë u vlejnë bibliotekave dhe arkivave tona. Bëhet fjalë për një libër prej 340 faqesh, ku Mëhilli sjell në mënyrë skrupuloze gjithë historinë e kinemasë dhe të filmit në kryeqytetin shqiptar. Por ai nuk ndalet vetëm në ndërtesat e kinemave, emrat, kushtet, pronarët, ndërtimet, djegiet, shndërrimet, por edhe në filmat që shfaqeshin aty, mënyrat se si silleshin nga Moska, Pekini, Roma, ish-Republikat Popullore, Egjipti, India… pastaj fillon realizimi i filmave nga Kinostudioja Shqipëria e Re. Por, në krye të herës, kur Kinostudioja ishte ende e re, pati edhe bashkëpunime me vendet me një histori në fushën e kinematografisë, siç ishte ish-Bashkimi Sovjetik. Mëhilli na tregon qysh në kërkesën dërguar rusëve, tek ardhja e tyre në Shqipëri, dublimi, çmimet e fituara, shfaqjet, suksesi etj. Të gjitha këto të dhëna Mëhilli i ka grumbulluar duke hulumtuar në arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Arkivin e Shtetit etj.
Kërkesa
Në prill 1949, një delegacion i qeverisë sonë me në krye Enver Hoxhën, shkoi në Moskë. Vetë kryetari i delegacionit, më 4 prill i bëri një kërkesë Ministrisë së Punëve të Jashtme në BRSS. Në materialin që Spiro Mëhilli ka gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Enver Hoxha u lutet që të bëjnë një film për heroin shqiptar. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, duke dashur të bëjë një film artistik mbi jetën e Heroit Kombëtar të popullit shqiptar, mbi Skënderbeun dhe mbi luftën e popullit të saj kundër okupatorëve otomanë, i lutet qeverisë së BRSS të ketë mirësinë të pranojë që ky film të realizohet nga kinematografia sovjetike dhe me pjesëmarrjen e artistëve sovjetikë, shkruhet në letër. Me të njëjtën përulje Hoxha u kërkon që brenda vitit 1949 të vijë në Tiranë një shkrimtar rus për të bashkëpunuar me institucionet shqiptare për krijimin e një skenari filmi.
Ardhja

Posteri i filmit në gjuhën ruse

Sipas Spiro Mëhillit, në mars 1953 erdhi në vendin tonë grupi artistik i kinematografisë sovjetike i filmit Skënderbeu, i kryesuar nga regjisori Sergei Jutkeviç, i cili në një rreth të ngushtë kishte deklaruar se nuk kishte dëshirë të drejtonte xhirimin e këtij filmi; Akaki Horava, Artist i Popullit, dekoruar me dy urdhra, Lenin dhe 5 herë laureuar me çmimin Stalin, deputet i Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik, drejtor i Teatrit Rustaveli të Tbilisit; Veriko Adzhaparidze, Artiste e Popullit, tri herë e laureuar me çmimin Stalin, shoqëruar nga artistë dhe grupi i xhirimit. Ata u pritën në Portin e Durrësit. Bashkë me regjisorin Jutkeviç, asistentin Viktor Stratobërdha dhe aktorët, erdhën dhe 6 kuaj të bardhë. Fatkeqësisht, kali që do të ishte për të kalëruar heroi ynë ngordhi, kështu që Akaki Horavës iu desh të përdorte një kalë tjetër. Në film janë përdorur karrige origjinale të kohës së Skënderbeut, të dhuruara nga një familje në Mirditë. Pjesa më e madhe dhe kryesore e filmit ishte xhiruar në BS. Në vendin tonë do të plotësohej filmi me pjesëmarrjen e artistëve tanë, si dhe do të përpunohej varianti i dublimit të filmit në shqip, në Kinostudion Shqipëria e Re. Skenari ishte i Mihal Papavas. Spektatori shqiptar mezi priste të shikonte Heroin e tij Kombëtar në ekran, kur tentativat e para nga italianët kishin dështuar.

Dublimi në shqip

Aktori në rolin e Skëndërbeut: Akaki Horava

Një pjesë e mirë e aktorëve pjesëmarrës në film, mes të cilëve edhe ai që luante Skënderbeun, vinin nga BS, pra flisnin rusisht, çka kërkonte edhe dublimin në

Regjisori rus, Sergei Jutkeviç

gjuhën shqipe. Dublimi u realizua në Tiranë, por pala ruse nuk mbeti e kënaqur. Më 8 nëntor 1953, para se të shfaqej filmi Skënderbeu, në Moskë, Sergei Jutkeviç pa dublimin e filmit që erdhi nga Tirana. Përfaqësuesi ynë, Mihali, informonte me dokumentin nr. 1223: Jutkeviçi nuk është aspak i kënaqur. Sipas thënies së tij, dublimi shqip i humb 50% të vlerës artistike të origjinalit sovjetik. Veçanërisht nuk është i kënaqur nga ai që zëvendësoi Horavën, në rolin e Skënderbeut. Zëri i tij monoton nuk i përgjigjet as Skënderbeut dhe as Horavës (zëri ishte i Lec Bushatit. Autori). Ai u shpreh kështu: Po tisha unë qeveria shqiptare, nuk do ta pranoja variantin shqip, po do ta bëja përsëri dublimin e Skënderbeut. Ai propozoi Naim Frashërin, i cili mund ta dublonte shumë mirë Skënderbeun dhe atë vetë, një tjetër. Megjithatë, duke marrë parasysh skenarin, muzikën etj., filmi do të dalë prapë i mirë. Dhe shokët tanë të kinematografisë që e panë, thonë se ka shumë ndryshime varianti rus me atë shqiptar. Për nisjen e tij nuk ka ndonjë ndryshim, shkruan Mëhilli në librin Arti i shtatë në Tiranë.
Shfaqja
Më 28 nëntor 1953, njëkohësisht me kinematë kryesore të Moskës dhe në kinematë 17 nëntori dhe Republika në Tiranë, u dha premiera e parë e filmit Skënderbeu. Te ne u cilësua, me të drejtë, film i madh artistik me ngjyra. Të shumta ishin shkrimet e botuara në gazeta, ku njerëz të ndryshëm shprehnin mendimet e tyre për filmin e parë artistik pas çlirimit me temë shqiptare dhe realizuar nga një bashkëpunim i frytshëm i

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›