Enver Petrovci vendos: Tani, karrierën në Tiranë
Aktori kosovar braktis Prishtinën, vendi që e ka lënë të papunë dhe që nuk përmbush ambiciet artistike; Enver Petrovcit i premtohet në Tiranë hapja e një shkolle private, si dhe angazhim në Teatrin Kombëtar
Është në moshën më të mirë artistike dhe është i papunë në Prishtinë. Aktori i njohur në mbarë trevat shqiptare, Enver Petrovci, i kthen kurrizin Prishtinës, bashkë me zhgënjimin e tij. Dje për mediat kosovare, ai ka deklaruar se në këtë moment priret të realizojë ambiciet e tij atje ku do të ndihet më mirë. Dhe ky vend tani është Tirana.
Ai ka deklaruar se ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë në Shqipëri, ku shpreson të përmbushë ambiciet artistike. Petrovci ka thënë për mediat e Prishtinës se "në Kosovë nuk po e ndiej veten si artist", por ai nuk është i kënaqur as me gjendjen dhe atmosferën në skenën kulturore të Kosovës. "Tani kur jam në moshën më të mirë artistike, unë këtu jam pa punë. Nuk jam duke parë ndonjë perspektivë në Kosovë, shpresoj se në Shqipëri do të vijnë në pah ambiciet e mia artistike", - është shprehur Petrovci. Ai thotë se ka "njëzet vjet që pret të ndodhë diçka e mirë", por sipas tij, nuk po ndodh dhe se nuk po investohet as minimumi në arsim dhe kulturë. Aktori thotë se nga Teatri Kombëtar i Tiranës i është mundësuar realizimi i një shfaqjeje, si dhe ka kërkuar që Akademia e Arteve në Tiranë t'i mundësojë të punojë si pedagog. Madje, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Kulturës këtu i kanë ofruar hapjen e një shkolle private në Tiranë. Petrovci ka paralajmëruar se fillimisht do të jetë vetëm, por më vonë mund ta marrë me vete edhe familjen. Enver Petrovci ka kryer degën e aktrimit në Akademinë e Artit të Dramës në Beograd. Ka luajtur në shumë filma jugosllavë, si dhe në teatrot e Beogradit ku ka realizuar disa role që mbahen mend nga publiku dhe renditen si më të mirat në karrierën e aktorit. Herën e fundit në skenën e Tiranës, Petrovci ka qenë me shfaqjen e përbashkët, nga një kompani private, mes aktorëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, konkretisht në shfaqjen e Cehovit “Daja Vanja”, së bashku me aktorët Ndriçim Xhepa dhe Bajrush Mjaku. Ndonëse duket i çuditshëm dhe krejt i papritur vendimi i Petrovcit, por njëkohësisht i argumentuar, shihet më se e arsyeshme për shkak se pritja publike në Tiranë ka qenë mjaft e mirë dhe vlerësuese. Por ardhja e Petrovcit në Tiranë do të jetë një ilaç i mirë dhe për konkurrencën e aktorëve këtu, të paktën ata që i përkasin brezit të tij. Nga vitet nëntëdhjetë jeton dhe punon në Prishtinë.