E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga vrasësi shqiptar, operacion plastik për t’iu shmangur arrestimit



Karabinierët italianë, në bashkëpunim me policinë kanadeze, vunë në pranga 24-vjeçarin Florenc Shamo, që akuzohet për vrasjen e një bashkatdhetari

Itali

Kishte bërë operacion plastik për të ndryshuar paraqitjen e jashtme, me qëllim që të mos arrihej të identifikohej dhe kapej nga policia. Karabinierët italianë, në bashkëpunim me policinë kanadeze vunë në pranga 24-vjeçarin Florenc Shamo, i cili akuzohet për vrasjen e bashkatdhetarit të tij, Ervis Daci. Ngjarja ka ndodhur natën e 6 gushtit në qytetin e Firencës në Itali, në vitin 2007. Shamo, 24 vjeç, e kishte kuptuar se policia italiane kishte rënë në gjurmët e tij dhe se rrezikohej të arrestohej. Ai kishte arritur që të kalonte në Greqi, ku i ishte nënshtruar një operacioni plastik dhe më pas kishte arritur që të mbërrinte në Kanada.

Ai kishte arritur që t’u shpëtonte agjentëve italianë në Roterdam, ku këta të fundit po përpiqeshin që ta arrestonin. Ndërkohë që pak orë më parë, u vu në pranga një bashkëpunëtor i tij në vrasje, Vladimir Ibraj.

Sipas policisë italiane, Shamo, i cili ndiqej nga karabinierët, kishte arritur që të rikthehej sërish në Shqipëri nga Holanda, ku ndenji për pak kohë. Ai udhëtoi për në Greqi, ku kreu një operacion plastik në fytyrë, me qëllim që nga agjentët të ishte e vështirë që ai të identifikohej dhe të arrestohej. Më pas, 24-vjeçari udhëtoi për në Spanjë. Sipas policisë, pas operacionit, ai kishte zvogëluar hundën dhe kishte ndërhyrë tek mollëzat. Gjithashtu, kishte ndryshuar modelin e flokëve duke marrë një paraqitje të re, duke bërë që për policinë të ishte e vështirë që ai të identifikohej.

Sipas karabinierëve, ata asnjëherë nuk kishin humbur gjurmët e të kërkuarit, veçse për pak ditë dhe kjo për shkak të kalimeve në kufi. 24-vjeçari kishte arritur që të siguronte edhe një kartë identiteti false, duke ndryshuar kombësi dhe duke u bërë shtetas italian. Ai quhej Vincenzo Geracitano, nga Siderno, në provincën e Reggio Calabria-s. Më pas arriti që të mbërrinte në Kanada. Nëpërmjet një kushëriri të tij që punonte si kuzhinier në një anije me flamur gjerman, arriti që të siguronte një vend më 4 janar, duke arritur në Toronto të Kanadasë. Më 16 janar, shërbimi i emigracionit të policisë kanadeze, me urdhër të karabinierëve, e arrestoi në portin e Halifax-it. Sipas policisë italiane, kanë nisur tashmë të gjitha procedurat për ekstradimin e të arrestuarit 24-vjeçar. Me arrestimin e Shamos, policia dhe prokuroria italiane mbyllin hetimin për vrasjen e Ervis Dacit në Firence.

Më 31 gusht të vitit 2007, kishte përfunduar në pranga Fabiol Preçi, i cili ishte kapur në Eraclea, një provincë e Venecias. Më 28 tetor ishte arrestuar për shfrytëzim personal Donaldo Domi, kështu që ishte radha e Vladimir Ibajt, që të tre me origjinë nga i njëjti qytet i Shqipërisë, Elbasani. Kërkohej vetëm Shamo, i cili ishte identifikuar nga policia dhe po përgatitej arrestimi.

Karabinierët e dinin se ku gjendej ai, por u duhej kohë që të përgatisnin dokumentet e nevojshme që nevojiteshin për të bërë mandatin e arrestimit ndërkombëtar.

Gjatë kësaj kohe, 24-vjeçari lëvizte nga një shtet në tjetrin. Ai e dinte mirë që kërkohej nga policia dhe rrinte vetëm për pak kohë në një vend, duke tentuar që të humbte gjurmët e policisë. Disa ditë më parë karabinierët morën sinjalin që prisnin nga celulari i Shamos. Sistemi GPS e lokalizonte në mes të detit. Që atje karabinierët nisën nga puna për të prerë urdhër-arrestimin dhe në bashkëpunim me policinë kanadeze bënë të mundur arrestimin e shqiptarit që kërkohej për vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›