E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimet, shamitë përplasin ministrinë me Komunitetin Mysliman



Poni: Nuk do të lejohen fotot me shami

Maçi: Urdhri është antikushtetues, takohemi në gjykatë

Feja nuk do të jetë pjesë përbërëse në letërnjoftimet e reja, por kjo nuk duket e mjaftueshme për të mos pasur përplasje fetare për kartat e identitetit. Zëvendësministri i Brendshëm, z. Ferdinand Poni deklaroi dje se nuk do të lejohet pajisja me letërnjoftimet, për të gjitha ato femra myslimane, që nuk pranojnë të pozojnë pa shami në fotografinë e kartave të identitetit.

Ndërkohë, Komuniteti Mysliman është kundërpërgjigjur menjëherë, duke deklaruar se nëse ky vendim zbatohet, atëherë do të takohet me ministrinë në sallat e gjykatës. Duke folur për “standard”, Iris Maçi, kryetarja e Gruas në Komunitetin Mysliman, u shpreh se duhet që të respektohen ligjet dhe Kushtetuta e Shqipërisë, që ndalon cenimin e besimit fetar për qytetarët.

Debati

Veshët “po bëhen” molla e sherrit mes Komunitetit Mysliman dhe Ministrisë së Brendshme. Zëvendësministri Poni deklaroi se kartat biometrike kanë fotografi të standardizuara dhe me karakteristika të përcaktuara. “Ashtu sikurse nuk lejohet që të mos e kesh kokën ulur apo të jesh duke qeshur, standardet e kartave të identitetit përcaktojnë se duhet të duken pjesë të caktuara të fytyrës, si për shembull veshët”, – deklaroi z. Poni, duke argumentuar qëndrimin e Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, këto standarde duhen zbatuar dhe kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin ndaj një feje të caktuar.

Por, mendimi i përfaqësueses të Komunitetit Mysliman është krejt i ndryshëm. Sipas saj, pikësëpari duhet respektuar Kushtetuta e vendit e më pas, urdhrat e niveleve më të ulëta. Në Kushtetutë përcaktohet se “secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”, ku sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, me fe nënkuptohet edhe shamia në rastin e myslimanëve. “Ne nuk do të pranojmë një qëndrim të tillë. Nëse një vendim i tillë është marrë, atëherë ne do të ndjekim rrugën ligjore”, – deklaroi znj. Maçi.

Pa karta?

Zëvendësministri Poni deklaroi se në rast se femrat e Komunitetit Mysliman nuk do të pranojnë mënyrën ligjore, atëherë nuk do të pajisen me karta. “Kjo masë shërben për të gjithë ata që nuk pranojnë standardet e paracaktuara. Kush nuk plotëson ato kritere që nevojiten, nuk do të pajiset me kartë identiteti”, – tha z. Poni.

Znj. Maçi u përgjigj ndaj kësaj çështjeje, duke deklaruar se Komuniteti Mysliman nuk do të pranojë të bëjë një kompromis të tillë dhe se do të prononcohet zyrtarisht pasi të mblidhen autoritetet drejtuese. “Deri tani kemi pasur vetëm një ankesë, por që u zgjidh, duke e lejuar që të fotografohet me shami”, – deklaroi znj. Maçi.

Debatet mbi simbolet fetare janë të vazhdueshme. Disa kanë të bëjnë me karakterin laik të shtetit, si rasti i përjashtimit të nxënësve myslimanë, që u hodh poshtë nga gjykata, si shkelje e Kushtetutës. Të tjera kufizohen në çështje të karakterit teknik, si rasti i kartave të identitetit, ku simbolet e fesë islame përplasen me çështjet teknike të letërnjoftimeve.

Sipas z. Poni, nuk mund të lejohet fotografimi jashtë standardeve, ndërkohë sipas znj. Maçi, nuk do të lejohet shkelja e simbolit fetar mysliman. Tashmë, pritet vendimi përfundimtar, që duket se do të vijë nga gjykatat.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›