Enveri na ndryshoi mbiemrin, sot na përdhosin
E ndjejnë veten të lënduar dhe të prekur rëndë në sedër. Nuk e kanë me rektorin Tanush Shaska, që një ditë të bukur vere iu tek të hiqte emrin e stërgjyshit nga ballina e Universitetit të Vlorës, por me gjithë sistemin politik, që mundohet edhe sot të përdhosë emrin e shtetarit të parë shqiptar, atij që i tregoi botës me ngritjen e flamurit, se një komb po rilind dhe shpall Pavarësinë. Ariana Vlora, mbesë e ligjshme e Ismail Qemalit, përpiqet të kuptojë se çpo ngjet me figurën e stërgjyshit të saj, por sërish nuk gjen dot shpjegim. Gjatë sistemit komunist, pasardhësit e mbetur në Shqipëri të Ismail Qemalit, u lanë në harresë. Askush nuk u kujtua për ta, a thua se nuk ekzistonin. Por edhe sot, si për habi, fare pak dihet për jetën e plakut mjekërbardhë, e çështë më e keqja, emri i Ismail Qemalit, nuk përmendet nga shtetarët e sotëm në ceremonitë që organizohen me vjetoret e shpalljes së Pavarësisë. Ariana, është bija e Ismailit, djalit të Qamilit, të nëntit nga fëmijët që pati në martesën e tij, Kryetari i së parës Qeveri Shqiptare. Ajo nuk ka dashur kurrë të shfaqet në publik si e tillë, por tani kupa është mbushur dhe si paraardhëse e Ismail Qemalit, ajo nuk mund të lerë më të hidhet baltë mbi figurën e atij që shkroi me germa të arta, historinë e re të Shqipërisë. Të gjithë mllefin e shfryn te shtetarët e sotëm, si djathtas dhe majtas, paçka se dëmet më të mëdha si familje i ka pësuar gjatë regjimit komunist që guxoi dhe u ndërroi edhe mbiemrin, si për të zhdukur çdo gjurmë të mbetur nga familja e ndritur e Ismail Bej Qemalit.
Në sistemin komunist e njihnim armikun. Ai na kishte dalë hapur dhe na kishte thënë troç se nuk ju duam. Kështu ishte ajo kohë. Ne ishim klasë bejlerësh dhe binim ndesh me ideologjinë komuniste. Si për na zbehur vlerat që mbartnim si familje, sistemi na ndërroi edhe mbiemrin, nga Vlora në Ismaili,- nis bisedën Ariana, teksa qëmton me jo pak dhimbje, se për shkak të trashëgimisë që mbartnin, u është dashur të sakrifikohen edhe nga nevojat më elementare që një individ duhet të gëzojë në jetë. Për ndryshimin e mbiemrit asnjëherë nuk u morr vesh e vërteta, as dje, as sot. Në vitet 90, babai i Arianës, Ismaili, që mbante emrin e gjyshit, mësoi ndërsa rrëmonte në dokumente të vjetra, se një Komision i Posaçëm ishte mbledhur për të marrë vendimin, pa shkruar asgjëkund shkakun. Familja e rimori mbiemrin Vlora, pas rënies së sistemit, duke kthyer drejtësinë dhe emrin e mirë të familjes, në vendin e duhur. Ariana na rrëfen se babain, drejtuesit komunistë, nuk e afronin kurrë në ceremonitë që zhvilloheshin për Ditën e Pavarësisë. Ai e vuante shumë këtë gjë, por ishte i vetëdijshëm për kohën që jetonte. Megjithëse kishte mbaruar studimet në Vjenë, ai kurrë nuk pranoi të përfitonte të mira materiale, duke dalë hapur kundra regjimit. Për këtë dhe faktin që bashkëshortja e tij rridhte nga një familje e persekutuar, me gjysh të pushkatuar në grupin e të 7-ve, Ismaili u ndëshkua, por jo në format e njohura represive, si burgosje apo internim. Ai dhe familja e tij, u lanë mënjanë në qoshen e tyre, duke vazhduar jetën normalisht, ku fëmijët u privuan nga shkollimi. Deri ditën kur doli në pension, nipi i Ismail Qemalit, njohës i gjashtë gjuhëve të huaja, punoi si tornitor. Ashtu ishte koha,- justifikon sërish Ariana,- nga ai regjim ne prisnim gjithçka. Babai na kishte përgatitur që fëmijë, jo në mënyrë direkte, për atë që na priste. Ne u mësuam të rrinim në qoshen tonë dhe ti krijonim mundësira vetes, aq sa kishim forcë. Por kur mendonin se figura e Ismail Qemalit do të vihej në vendin e merituar, zhgënjimi për trashëgimtarët Vlora nuk do të njihte kufi. Nga një armik që u kishte dalë ballë, ata njohën një armik të ri. Ariana shkon deri aty, sa përdhosjen e emrit të Ismail Qemalit, e cilëson si gjenocid ndaj familjes së tij.
Tani unë mendoj se ne po luftohemi më shumë. Enver Hoxha, ishte si ishte, e respektoi figurën e Ismail Qemalit, e përmendte emrin e tij më 28 Nëntor. Tim atë nuk e thërriste në ceremoni, se e kishte kundërshtar. Babai e kishte problem, por e dinte që ky ishte kundërshtar dhe respektonte gjyshin. Gjatë regjimit ne nuk kishim dëme, internime apo burgosje, por as privilegje nuk kishim. Babai im fliste shumë. Kur mendonte që gjërat nuk shkonin mirë, nuk hezitonte të kundërshtonte. Enveri nuk e preku, për hir të gjyshit. Por mua më vjen çudi me shtetarët e sotëm!...,- ngre supet me habi, Ariana. Propozimi për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës, i ka lënë të shtangur. Ariana nuk gjen dot fjalë për të përshkruar gjestin, të cilin nuk heziton ta quajë antikombëtar. Më bëri shumë përshtypje. Mendova që do të jetë ndonjë keqkuptim. Nuk e di si është e vërteta, por lexova artikullin që kishte bërë rektori. Ai thoshte që është keqinterpretuar, se e vërteta është krejt tjetër, por në të njëjtin artikull, po vetë, thotë që Ismail Qemali nuk ka dhënë kontribut në arsim, gjë që është absurde. Ariana, më shumë se propozimi i rektorit Tanush Shaska, vazhdon të mbetet e shqetësuar për trajtimin që politika i bën figurës së Ismail Qemalit. Unë këtë nuk kuptoj me këta që janë në pushtet sot, se çfarë të keqe kanë parë nga ne, që kanë kaq shumë frikë? Thashë që nuk çuditesha në sistemin e kaluar, por sot e them me dëshpërim se po bëhet fenomen antishqiptar. Sepse të jenë koka shteti dhe të mos përmendin emrin e personit që ka ngritur këtë flamur për të cilin krenohemi, është e patolerueshme. Figura e Ismail Qemalit, është identiteti ynë kombëtar. Unë nuk besoj se politikanët sot, kanë frikë se mos ne u marrim postin. Ne nga politika jemi djegur dhe nuk duam ta shikojmë me sy,- përfundon mbesa e plakut të Vlorës, duke u bërë edhe njëherë thirrje politikanëve, ti japin vendin që meriton njeriut që sakrifikoi pasurinë, për të parë Shqipërinë të Pavarur.
Pema gjenealogjike Vlora
Ismail Qemali, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin dihen fare pak gjëra. Ai kishte 9 fëmijë, ndër të cilët i vetmi që nuk pranoi të largohej nga Shqipëria, me mbërritjen e komunistëve në pushtet, ishte Qamil Vlora, i fundit nga djemtë. Të gjithë fëmijët e tjerë të flamurtarit mjekërbardhë, mërguan vit pas viti, jashtë atdheut, për të mbetur atje përfundimisht. Ai që trashëgoi emrin e gjyshit, ishte djali i fundit i Qamil Vlorës, Ismaili, i cili pati 5 fëmijë, ndër të cilën edhe Arianën. Kohë pas kohe, në media janë shfaqur trashëgimtarë të Ismail Qemalit, ku më e njohura është Nermin Vlora, pasardhëse nga pjesa femërore e familjes së madhe që pati plaku i Vlorës. Po kështu, kohët e fundit është shfaqur edhe figura e pedagogut të Universitetit të Barit, Nedim Vlora, edhe ky nga rrënja femërore. Ariana Vlora thotë se në Evropë ka shumë trashëgimtarë të Ismail Qemalit por që për hir të së vërtetës, kontaktet, sidomos vitet e fundit, i kanë rralluar, për të mos thënë i kanë humbur.