A kemi ditur e mundur të rrisim fëmijë të mirë?
SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm është dërguar në Kontakt nga Blogu i Shekullit dhe ka për autor lexuesin Bledar Teliti. Në të, rrëfehet një eksperiencë personale dhe ngrihen pyetje për diskutim lidhur me rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Mund të dërgoni eksperiencat tuaja apo qoftë edhe mendimet rreth këtij debati në adresat e Shekulli Kontakt U.R. Ju falënderojmë për prurjet e deritanishme!
Jam baba i dy fëmijëve adoleshentë. Djali është 14 vjeç dhe vajza 17. Kohët që po kalojmë si familje janë ndër më të vështirat e këtyre viteve të jetës sonë familjare. Ajo që dua të ndaj me ju, është kjo: Keni menduar ndonjëherë sa kohe dhe dashuri i keni falur qysh citen e parë që ka lindur fëmijës suaj? E di që secili nga ju, e ka gati përgjigjen: “Ne i duam shumë fëmijët tanë, çdo prind e do fëmijën… etj.”. Por unë ju them: Nuk mjafton!
Të gjithë i duam fëmijët, por jo të gjithë rrisim fëmijë të mirë, jo të gjithë jemi të lumtur me ta, jo të gjithë marrim mbrapsht respektin dhe vlerësimin e tyre, jo të gjithë jemi të kënaqur me kulturën, shkollën, sjelljen, arritjet dhe pozicionin e tyre në shoqëri e familje. Unë mendoj se ka vetëm një sekret: ne i duam fëmijët kur ata lindin shpesh si kukulla në shtëpi, por nuk u japim dashurinë e afeksionin tonë çdo ditë, nuk u japim gjithë kohën e mundshme, nuk jepemi pas tyre për të luajtur, për t’i lexuar, për t’i mësuar, për t’i ndjekur me sy në çdo çast, për t’u falur dashuri e komunikim të thellë e të sinqertë, për të ndërtuar vetëbesimin dhe vetëvlerësimin tek fëmija; ndjenjën që tek ne do të gjejë gjithmonë një mbështetje të fortë…
Kur ne martohemi, lindim fëmijë për inerci e natyralitet të jetës, por a jemi vërtetë të përgatitur për ardhjen në jetë të një fëmije? Nuk dimë se si duhet ta duam, rrisim, edukojmë e në fund të fundit, se si jeta jonë në çift ka ndryshuar totalisht dhe nuk është siç qe më parë. Çiftet e reja me fëmijë shpesh vazhdojnë të jetojnë siç ishin vetëm, pa fëmijë, i çojnë fëmijët me rast e pa rast tek gjyshja, tek nëna, tek vjehrra për të qenë vetëm e për të gëzuar ditë e kohë të qeta me njëri-tjetrin apo me shoqëri. Ka dhe më keq, ka prindër që mendojnë vetëm se si të punojnë e të vazhdojnë karrierën ku e kanë lënë, ose shkollën apo kursin pa menduar se kanë lindur një fëmijë. Fëmija nuk ka mundësi ta kërkojë me zë vëmendjen e përhershme, dashurinë dhe kohën e prindërve.
Shpesh atyre u gjejmë njeriun që do t’i mbajë dhe vendin, që ne prindërit të vazhdojmë të pashqetësuar jetën apo karrierën tonë. Ka raste kur një nga prindërit i kushton vëmendjen e duhur fëmijës dhe kjo është gjysma e të keqes, por kur braktisjen e bëjnë të dy, fëmija ka ardhur gabimisht në familje.
Pra, në konkluzion, jam i bindur nga jeta jonë, që fëmija është një investim shumë i rëndësishëm që ditën e parë që lind. Fëmija do dashurinë, kujdesin, vëmendjen, sytë e butë, kohën e prindërve. Në rast se këto nuk i gjen, ose mezi i gjen, ai do rritet me mungesa të mëdha, të cilat do të reflektohen në qenien, personalitetin, karakterin, veset e virtytet, dashurinë që do shkëmbejë në jetë, në ngritjen e familjes së tij. A do jetë një fëmijë i mirë për prindërit e shoqërinë dhe një prind e bashkëshort i mirë në të ardhmen? Unë nuk i kam dhënë kohën time, por jam përpjekur ta korrigjoj këtë vonë, por me besoni që kjo është e vetmja gjë që vlen për fëmijën, e vetmja. Fëmija juaj është jeta juaj: Jepuni DASHURINË dhe KOHËN tuaj! Fëmijët kanë nevojë vetëm për këto!