Epidemia që ka gjunjëzuar shoqërinë
Robert Qafëzezi/Artist
-Shteti, ky term i përdorur aq shpesh e në mënyrë të shpeshtuar, për të “etiketuar”, dhënë zgjidhje apo për t’ju shmangur problemeve të jetës shoqërore, nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje e institucioneve politike, legjislative, juridike, ushtarake, financiare, etj., që i merr popullit menaxhimin e aferave të tij, determinimin e drejtimeve e rrugëve për zgjidhje, si edhe mbrojtjen e sigurisë së tij. Pra populli ja beson çdo gjë një numri të vogël njerëzish. I detyruar për shekuj të tërë në pritje të punës , d.m.th të bukës, nën varësinë e dëshirën e “mirë” të padronit, varur përjetësisht nga ai që posedon tokat, apo kapitalin, punëtori arriti bile në përfundimin se është padroni ai që e mban në jetë, duke bërë naivisht pyetjen si do t’i bëhej sikur ky”senjor“ të mos ishte më? Mendoni një njeri që i ka pasur këmbët e lidhura që në lindje, mendoni që këtij njeriu mjeku t’i ngrejë e t’i paraqesë, në mënyrë të sofistikuar një mijë teori e shembuj për ta bindur që kurrë nuk do të ecë e jetojë me këmbë të zgjidhura e të lira, ai do të mbronte egërsisht lidhëset e këmbëve dhe do të bëhej armik me të gjithë ata që do t’i sugjeronin zgjidhjen e këmbëve. Përderisa besojmë që mungesa e shtetit do të sillte konfuzionin dhe prishjen e rregullit, si dhe do t’i hapte rrugë të lirë hakmarrjeve të popullatës, është normale dhe logjike që të mendojmë që mungesa e shtetit të shfaqet si sinonim i mungesës së rregullit. Në kohë dhe në vendet ku popujt besonin të nevojshme qeverisjen në një(monarki), republikë do të thoshte një qeverisje nga shumica, e në mënyrë precize, përdorej si sinonim i rrëmujës dhe ç’regullit. Pra shteti , ky numër i vogël personash, që pas marrjes së pushteteve, apo të delegimit të tyre, ndodhen në investimin dhe krijimin e ligjeve mbi të gjithë dhe mbi çdo gjë, duke njohur popullin, e servirur nga forca e te gjithëve, është gati t’i kundërvihet atij (popullit), qoftë edhe me përdorimin e forcës. Sot pyetja e modelit të shtetit dhe formës së tij mbetet nga më aktualet. Padyshim pyetja bazë që shtrohet sot nga të gjithë sociologët e botës mbetet raporti i shoqërisë, e pikërisht ai i individit me këtë grup të vogël njerëzish që quhet Shtet. Në këtë sens fjala shtet do të thotë qeveri, që është një organ i nevojshëm e i rëndësishëm. Si të gjitha qeniet e gjalla, njeriu është munduar të adaptohet dhe të mësohet, duke krijuar bagazhin e eksperiencave, apo “zakoneve” në lidhje me kushtet e jetesës. Por në këtë mënyrë, duke qenë se i lindur dhe i rritur për një kohë të gjatë nën pranga e duke pasur një heritazh të gjatë e serial skllavërie, njeriu besoi në kohën kur filloi të mendojë se skllavëria ishte karakteristika e vetë jetës, e liria i shfaqej si diçka krejtësisht e pamundur. U deshën shekuj që shoqëria njerëzore të ndërgjegjësohej, të zgjohej dhe me gjak të arrinte të ekuilibronte raportin kryesor, atë të shtetit me individin, si bazë e një shoqërie të drejtë e funksionale. Së fundmi termi ‘shtet’ sinjifikon gjithashtu konditat, të qenit, e regjimin e jetës sociale. Por çfarë është qeveria? Kush është sensi i vërtetë i të qenit qeveri? Megjithë evoluimin si “term”, tendenca metafizike është akoma shumë e rrënjosur në shpirtin e pjesës më të madhe të bashkëkohësve tanë. Kjo tendence metafizike është një “sëmundje” e shpirtit që pasi pati hequr të gjithë esencën kualitative të qenies, pas një procesi logjik të abstraksionit, njeriu pëson një lloj halucinacioni që e bën të marrë abstraksionin për një qenie reale. Kështu që shumë janë ata që shikojnë qeverinë si një qenie morale, duke i dhënë atributet si (logjika, drejtësia, etika) dhe kjo, pavarësisht nga personat që bëjnë pjesë në të. Për ta qeveria është akoma më abstrakte, e shteti është pushteti social abstrakt; është përfaqësuesi, gjithmonë abstrakt, interesave të përgjithshme, është shprehja e të drejtës së të gjithëve, i konsideruar njëherazi si limit i të drejtave të secilit. Po përse të heqësh dorë nga liria personale, nga iniciativa personale e ta lësh këtë besim në duart e një grupi të vogël njerëzish? Teoritë që kanë provuar të shpjegojnë e justifikojnë ekzistencën e qeverisë, janë të shumta e të shumëllojshme. Por ato janë të gjitha të parakonceptuara mbi këtë ide, të pranuara apo jo, njerëzit kanë interesa të kundërta e duhet një forcë e jashtme superiore, për të detyruar një palë që të respektojnë palën tjetër, duke shkruar dhe duke imponuar rregullat e qarkullimit që do të bëjnë harmonizimin më të mirë të interesave që janë në luftë midis tyre. Në qoftë se interesat, tendencat, dëshirat e një individi janë në opozitë me ato të një tjetër individi, apo eventualisht të gjithë shoqërisë, kush e ka të drejtën e forcën t’i kundërvihet për ta detyruar njërin që të respektohen të drejtat e interesat e tjetrit? Kush mund të ndalojë këtë apo atë qytetar që dhunon vullnetin e përgjithshëm? Liria e secilit ka për kufi lirinë e të tjerëve, po kush i fikson këto limite e kush i bën të respektohen? Antagonizmat natyrale të interesave e bëjnë qeverinë të domosdoshme, e justifikojnë autoritetin që ndërhyn në luftën sociale si moderator duke vendosur limitet, të drejtat dhe detyrat e secilit. Këto janë mendimet e teoricienëve të autokracisë. ***Për të qenë i drejtë, teoritë duhet të jenë të ndërtuara mbi faktet dhe t’i shpjegojnë ato, e ne e dimë shumë mirë që në ekonominë sociale, teoritë janë shumë shpesh shpikur për të justifikuar faktet, thënë ndryshe, për të mbrojtur privilegjet e për t’i pranuar pa bërë historia, nga ata që kanë rënë viktima të tyre. Shpesh flitet për qeveri të korruptuar apo individë që janë bërë të pasur në mënyrë korruptive etj.. Fitimi në mënyrë abuzive i individit, varet vetëm nga pozicionimi që ka ky individ me Shtetin, pra abuzimi, korrupsioni nuk është gjë tjetër vetëm çështje pozicionimi me “kupolën” e shtetit. Teoria e pozicionimit të individit me shtetin është e vjetër sa vetë bota. Po çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre viteve të dhimbshme të tranzicionit? Do të thosha së pari që, korrupsioni, kjo “sëmundje “ shumë e njohur e tepër e analizuar e shoqërisë njerëzore është shfaqur në format më “virulente” e më të përhapura, duke përfshirë në një epidemi të paparë të gjithë shoqërinë e vendit. Të gjithë, haptas fare kanë përfituar, abuzuar nga pozicionimi që kanë pasur me shtetin, pra nuk është bërë shkëmbimi i vërtetë i vlerave në fitim, por është fituar vetëm nga pozicioni i individit me shtetin. Tragjike! D.m.th sa më të shkurtër ta kesh pasur “rezen” drejt qendrës së pushtetit, aq më i pasur je bërë, por gjithmonë në kurriz të atyre që janë shumë larg pushtetit, apo atyre që nuk dinë gjë për ekzistencën e shtetit. Kështu në këtë mënyrë krijohet “kasta” e “të fuqishmëve”, që në një kohë të caktuar akaparon vetë shtetin, duke u futur në qeveri, apo duke u bërë deputet, derisa në një moment të caktuar, ajo nuk pyet më as për shtet, as për qeveri e dominon totalisht “shtetin formal” , duke mbytur në mënyrë brutale individin, apo duke e gjunjëzuar atë e i hequr mjetet e ekzistencës.