Me hirin hyjnor
Fitër Bajrami na vuri sërish përballë paradës/maskaradës politike të urimeve. Kemi njëzet vjet që, deshëm nuk deshëm, na duhet të dëgjojmë mesazhet e politikanëve tonë të ngeshëm që, megjithëse prodhojnë konflikte gjatë 360 ditëve kalendarike të vitit, me rastet e ceremonive fetare pësojnë një metamorfozë të menjëhershme dhe, nga korba që i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, fluturojnë nëpër ekrane si pëllumba.
Dhe këtë Fitër Bajram, siç ndodh zakonisht gjatë këtyre metamorfozave, që duket sikur kanë një protokoll të pashkruar të cilin ekranet tona e respektojnë shenjtërisht, i pari që e zhveshi menjëherë lëkurën e ujkut është z. Berisha, pas tij z. president, pastaj znj. Topalli- një pëllumbeshë e stolisur e parlamentit tonë kape për zhelesh…
Asaj që duket ske çi bën kësaj radhe, (Ose ne, të paktën kështu shpresojmë) është se në vijim të traditës, këtë protokolle ndoqëm me liderët dhe lidershipin e opozitës, që nga z. Rama e deri te z. Peleshi. Kjo mund të ketë arsyet e mosarsyeve të veta, ndoshta z. Rama mund të gjendet para akuzave të znj.Topalli për neglizhencë apo më keq, për urrejtje të fshehur ndaj myslimanëve, siç kishim urrejtje të fshehur ndaj amerikanëve që nuk u përfshinë në trekëndëshin e strategjive tona diplomatike!…
Sidoqoftë, jemi gjithnjë përballë një metamorfoze qesharake. Por, ajo që është më shqetësuese, jemi përballë faktit që dhe religjiozja te ne dominohet sërish nga politikja. Dhe, më e keqja është se tashmë duket sikur jemi mësuar me këtë gjë dhe sna bën përshtypje që politikja na i ka zaptuar të gjitha hapësirat publike. Deri dhe te momenti i meditimit përballë një zoti, na dalin para po ata të paturpshmit, politikanët.
Krijuesi ynë/ ose i krijuari prej nesh, në të gjitha religjionet/fetë,në të gjitha ditët e shenjta, na bën të meditojmë, ta shohim veten tonë sy më sy, ta shohim dhe njëri-tjetrin sy më sy, të përulemi e të përdëllehemi, të bëhemi më të mirë se çjemi. Janë ditë që na bëjnë të jemi të vetëdijshëm se, përballë një zoti krijues ose të krijuar prej nesh, jemi të barabartë.
Por pikërisht këtë nuk arrijnë të kuptojnë politikanët shqiptarë dhe kanë arsye që të mos e kuptojnë. Teksa bëhen pëllumba e na japin mesazhe paqeje, në të vërtetë ata na kujtojnë që madje dhe klerikët e lartë të religjioneve sjanë asgjë para tyre, madje ata, dhe jo pa arsye, besojnë se janë më lart se ta dhe fare pranë Zotit, krijuesit ose te krijuarit (asnjëri prej tyre se ka lexuar seriozisht Danten).
Se, është e qartë që, me ndonjë përjashtim të rrallë, politikanët tanë as kanë punë me Zotin dhe as kanë zot tjetër përveç vetes. Se, në vend që të shkojnë në kishat tona apo xhamitë e të jenë mes njerëzve të tjerë që e ndiejnë veten të barabartë mes veti, ata nxitojnë të bëjnë qokën te krerët fetarë dhe pastaj dalin para ekraneve që i rrethojnë sakaq, duke na thënë vetëm banalitete të neveritshme për mesazhet hyjnore.
Rekordmeni i banalizimit të mesazheve hyjnore është z. Berisha. Do të ishte një mrekulli më vete, një kolazh i gjithë idiotizmave të tij të thëna në të gjitha rastet e festave fetare gjatë këtyre njëzet vjetëve. Edhe dje, megjithëse e ka marrë një mesazh hyjnor nga votuesit shqiptarë, një mesazh që i ka thënë, përveç të tjerave, të shkojë në festat fetare kokulur e ta njohë më në fund Zotin, për të qenë njeri, ai thjesht ka përsëritur veten, thjesht na ka kujtuar që ka shumë punë me zotin e tij, që është aty, tek ai, po se sheh.
Liderët që kanë zot këtë bëjnë, shkojnë në kisha e xhami me të tjerët, përkrah të tjerëve, se ata e kanë një zot që i bën të përulur, pra njerëzorë me hirin hyjnor. Ky i yni se ka, e duket që do të ketë shumë punë e mund për tu takuar me të.
Por, ndërkaq, kjo që ndodh duhet të jetë mesazh për të tjerët.
