Episode hipokrizie dhe poshtërimi mes Sali Berishës dhe Azem Hajdarit
Këto janë disa fragmente nga libri Viti 97, episode ku tregohet e vërteta e raporteve të Sali Berishës me Azem Hajdarin. Po ua risjell në nderim të 50 vjetorit të tij dhe në shenjë përbuzje të hipokrizisë së Sali Berishës ndaj tij.
Prill 1996 – PD-ja jopolitike e 26 majit
…Nëse ka pasur ndonjëherë në historinë politike të një partie më shumë intelektualë dhe më pak politikanë, ky ka qenë Kuvendi dhe garnitura politike e dalë nga zgjedhjet e 26 majit. Pas kokëçarjesh të gjata me fraksione brenda PD-së dhe figura politike që e kontestonin vazhdimisht, Sali Berisha u mbyll i vetëm në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave, për t’i dhënë PD-së një ekip të ri, që thuajse nuk kishte lidhje me politikën.
Prej ikjes së Neritan Cekës në vitin 1991 e më pas Pashkos, Zogajt, Imamit, Kalakulës, Baletës dhe kulmimit të rrjedhjeve me kryetarin karizmatik të partisë, Eduard Selamin, Sali Berisha dukej se po mendonte për një parti pa politikanë. Lista e gjatë që shkruante dhe rishkruante vetë, nxirrej nga lista pedagogësh, artistësh dhe intelektualësh të njohur të vendit, shumica e të cilëve as që kishin ndonjë ide se po hynin në politikë. Me siguri që ka qenë afër fundit kur, një mbrëmje, më thirri për kafe në vilën nr. 4. Ndihej qartë që ishte i kënaqur me vizat e panumërta që kishte hequr mbi dengun e listave që kishte përpara.
-Do t’i lexoj një herë emrat, – tha. – Kam gjetur ekipin më të shkëlqyer që kemi pasur ndonjëherë për zgjedhjet!
Po i dëgjoja. Gjysmën i kisha dëgjuar jo si politikanë, gjysmën tjetër as si politikanë dhe as si intelektualë.
- Si të duken? – më tha.
Ishte një pyetje që donte përgjigjen që duhej ta dëgjonte ai. Qoftë dhe për rutinë.
- Janë shumë, – i thashë, – s’di të them për të gjithë. Disa emra janë shumë të njohur dhe ndoshta bëjnë punë. A ke folur me ta?
- Me cilët? – tha.
- Për shembull, me Ndriçim Xhepën, Xhevdet Ferrin apo këta pedagogët.
- S’ka problem për ata, flasim. Po si të duket lista?
Donte doemos një përgjigje entuziaste.
- E mirë më duket, – i thashë. – Do të kesh pak problem me këta të partisë.
- Partisë… hë, ç’probleme do të kem? Ua kam thanë: “Më të shquarit, te zonat më të vështira.” Ja, për shembull: Agron Musarajn e kam çue në Berat, Sadik Bejkon dhe Blerim Çelën në Tepelenë, Fatos Bejën në Gjirokastër, Leonard Demin në Sarandë, Genc Pollon në Përmet, Dashamir Shehin në Vlorë, Ridvan Boden në Korçë… se këta të Jugut ke merak ti…
Nuk i bëra asnjë koment. Po përpiqesha t’i mbaja mend, se ndoshta më duheshin për raportin e mëngjesit te “Zëri i Amerikës”.
- Mirë e paske Jugun, – i thashë instinktivisht. – Këtë Boden nuk e njoh, por këtë Shehin pse në Vlorë?
- Nuk e njeh Boden… i shkëlqyem! Ka mbarue në Francë, e kemi pas drejtor Dogane, superkorrekt, financier i zoti. Ndërsa Vlora ka shumë rëndësi, – tha. – Do një figurë të fortë, s’bëhet pa një figurë të fortë.
Në të vërtetë, krisja mes Dashamir Shehit dhe Berishës kishte nisur. Aleksandër Meksi, që historikisht nuk duronte dot asnjë zëvendëskryeministër, për shkak se i dukeshin të gjithë të Berishës, po ashtu kishte probleme me të, por nuk kuptohej kurrë nëse i kishte me të apo me Berishën.
- E ke mbyllur, me një fjalë? A mund ta citoj unë ndonjërin nesër në radio?
- Jooo! – tha. – Se nuk e di njeri. Nuk duhet të dalë asgjë. Kam edhe ca probleme në Shkodër. Duhet me e mbyllë dhe atë. Më ka mbet ky Koleci, s’di ku ta çoj…
- Në Shkodër, ku tjetër? – i thashë.
- S’e di. Fola me Aliun… ai thotë se kemi një kandidaturë tjetër atje, një grua shumë e zonja thotë, po burri i saj qenka fis me Kolecin.
- Kush është kjo?
- Është një pedagoge… për matematikë më duket, nuk e di… ose për juridik, juridik më duket. Ja, të pyes Aliun.
Foli me Ali Spahinë. Toni i shtruar i Ali Spahisë dhe serioziteti që u kushtonte raporteve njerëzore e bënin atë figurën më të palëkundur të PD-së dhe njeriun më të qëndrueshëm nga pikëpamja politike për Berishën, edhe pse shpesh e xhindoste me kufijtë që u vendoste përpjekjeve të tij të përhershme për ta përdorur për çdo gjë.
- Është e shkëlqyer, thotë Aliu. Jozefina Topalli quhet. Qenka kancelare në fakultet. Nuk e di, po ky thotë se është më mirë ajo se Koleci në Shkodër, pasi ajo paska familje shumë të njohur nga baba i vet… Ku ta çoj këtë Kolecin, ku ta çoj…. – Filloi të hidhte sytë sërish mbi hartën elektorale. – Ah, po, e gjeta, – tha. – Në Mirditë e kam një vend. Të pyes një herë Aliun.
Foli sërish me Ali Spahinë: “Paska qenë mësues atje, në Mirditë? E po, shumë mirë atëherë… aty po e çoj. Shumë mirë, u mbyll kjo punë. E shkëlqyer! Mos fol me njeri.”
- U mbyll, – m’u kthye mua. – Në Mirditë. Aliu thotë se paska qenë dikur mësues aty… ose i internuar, ose mësues, nuk e dinte mirë, por më tha që ka lidhje atje.
Përfytyrova Kolecin, një burrë i matur, i urtë dhe flegmatik, që kishte drejtuar me durim dhe përkushtim administratën e Presidencës për katër vjet. Nuk e njihja nga afër, por me siguri që ishte i çliruar nga ideja se po ikte nga ajo ndërtesë.
I vetmi kuriozitet që kisha për kandidaturat e Shkodrës ishte Azem Hajdari. Berisha nuk po ma përmendte emrin e tij, ndërsa Azemi kishte dy ditë që më kërkonte ta zhbiroja se ku kishte ndërmend ta çonte. “Më duhet një fije informacion, shqipe, – tha Azemi, – pastaj di vetë unë se ç’bëj.”
- Po Azemin? – i thashë papritur.
- Azemin? Hëm, atij ia kam gjet vendin. Ai, kudo që ta çosh, fiton. Kemi një zonë shumë të vështirë, që bashkon Çermenikën e Librazhdit, Martaneshin dhe Tërnovën e Dibrës. Aty e kam çue. Vetëm ai mund ta fitojë këtë.
- Mos nuk e pranon, – i thashë me gjysmë zëri.
- Jo, mo, e pranon, – tha, – mos ki merak. Shiko, kam ndjekur një parim: figurat politike në zonat më të vështira, intelektualët në qytete të sigurta, se ata më duhen në Kuvend mue, s’mund t’i hedh në mes të detit menjëherë.
Pas disa ditësh, lista iu lexua Këshillit Kombëtar.
Përpara mbledhjes, në mëngjes, piva kafe me Azem Hajdarin në Rogner. Ia thashë pak a shumë se ku mund të ishte.
<