INTERVISTA/ Rrëfehet Teuta Hoxha: Nexhmija i tha kreut të Gardës le ta djegin shtëpinë, sdua gjak
“Enver Hoxha arriti që të hiqte dorë nga posti i Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm dhe të bëhej vetëm sekretar i parë, vetëm për Kosovën dhe këtë e kam të dëgjuar nga Nexhmie Hoxha. Sepse nëse ai do të kishte ato dy poste qeveritare, nuk do të mund të mbronte Kosovën, sepse quhej ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë”
Intervistoi: Roland Qafoku, Tv Channel One
Kjo është intervista e parë që ju jepni për një televizion?
Ju gazetarët shihni vetëm intervistat e pas vitit 1991, por unë kam dhënë intervistë në Televizionin Shqiptar gjatë atyre viteve, menjëherë pasi unë botova librin për Ismail Qemalin dhe fola mbi aktivitetin e tij. Më pas kam dhënë intervista edhe kur kam punuar në Muze, në Trashëgiminë Kulturore.
Ju thatë që një nga punët tuaja është edhe libri mbi Ismail Qemalin, por kur kam kërkuar librin tuaj nuk e kam gjetur, ndërkohë që shumë historianë e studiues më kanë dhënë vlerësime për atë libër?
Në fakt është e vërtetë ajo që thatë ju, por unë me modesti mendova se për 100 vjetorin e Pavarësisë, do të kishte shumë botime apo prurje të reja, apo studime dhe mendova që pas 30 vjetësh që libri kishte parë dritën e botimit, mbase do të ishte i tepërt. Por ndodhi ajo që thatë ju, që libri është kërkuar dhe kjo ishte një kënaqësi për mua, pasi kur ai i qëndron kohës, do të thotë se është një vepër e arrirë dhe se është bërë një punë serioze.
Në cilat arkiva keni studiuar për këtë libër, vetëm në Shqipëri apo dhe jashtë saj?
Sapo mbarova shkollën për histori-arkivistikë, u caktova në Arkivin e Shtetit dhe puna e parë që mu caktuar ishte të hulumtoja dokumente mbi jetën e Ismail Qemalit për të bërë një botim. Të them të drejtën kur ma ngarkuan këtë punë, e prita me kënaqësi pa dyshim, por edhe më një farë droje, sepse ishte një punë e rëndësishme. Punën e nisa në arkivat e Arkivit të Shtetit dhe jo vetëm në fondin e Ismail Qemalit apo ato arkiva që kishin lidhje me shpalljen e pavarësisë, por edhe në dokumentet që mund të cilësoheshin si dytësore. Pasi mbarova hulumtimin në arkivin e shtetit, vijova në arkivin e Institutit të Historisë, që ka një arkiv shumë të pasur dhe më pas në bibliotekën kombëtare ku punoja me shtypin periodik të kohës. Pasi bëra gjithë këtë grumbullim dhe seleksionim të materialeve, vura re që kishin një mangësi përsa i përket periudhës së Ismail Qemalit kur ishte shtetar i Perandorisë Osmane, ndaj kjo dobësonte veprën, sepse nuk e jepte të plotë jetën e tij. Me një kërkesë të bërë nga Arkivi i Shtetit në ministrinë e Jashtme Turke në 1981, e cila u pranua, mundësonte që të hulumtoja edhe në arkivat e Stambollit. Ndaj, bashkë me një shoqen time, një arkiviste të vjetër, Eleni Duka që ishte dhe osmanologe, shkuam në Stamboll dhe ajo kërkoi në arkivin e ministrisë dokumente në turqisht, ndërsa unë në ministri të Jashtme kërkova për dokumente në frëngjisht dhe më pas, shkuam në bibliotekën e Stambollit ku gjetëm dokumente, që janë botuar në libër dhe që për mua mbeten dokumentet më të rëndësishme. Unë nuk kam parë dokumente të tjera të asaj periudhe që të jenë marrë nga arkivat turke. Ato janë shumë të pasura dhe mbetet në dorën e historianëve për të hulumtuar.<br
Cilat kanë qenë reagimet që keni marrë pas publikimit të librit?
Libri në atë kohë u prit shumë mirë dhe për mua, ishte një kënaqësi shumë e madhe dhe mora përgëzime. E para, mora përgëzime nga Enver Hoxha dhe kjo për mua ishte shumë e rëndësishme për vetë faktin, se ai më kishte ndjekur hap pas hapi gjatë punës sime. Ashtu siç u gëzua kur mori vesh që më kishin ngarkuar me këtë punë dhe më tha se kjo ishte një punë shumë e nderuar dhe se duhet të punoja me shumë përkushtim, por edhe në vijimësi të punës, ai më ndoqi. Libri ishte një ndër temat e bisedës mes meje dhe atij.
A kishte njohuri për figurën e Ismail Qemalit, Enver Hoxha?
Ai jo vetëm që kishte njohuri, por figurën e tij e vlerësonte dhe e quante arkitekt të shpalljes së pavarësisë dhe diplomat të rangut evropian. Enver Hoxha gjithmonë kur fliste për Ismail Qemalin, nuk thoshte rëndom ashtu siç themi ne tani Ismail Qemali, por Plaku i Vlorës, ose Plaku Ismail Qemali, gjithmonë si për ti dhënë peshë figurës së tij. Enver Hoxha kishte edhe një lidhje shpirtërore me atë kohë, sepse xhaxhai i tij kishte qenë pjesëmarrës i delegatëve të pavarësisë.
Nuk ishte firmëtar?
Jo, sepse ai arriti me vonesë për shkak të kushteve të kohës, por në atë fotografi është e njohur tashmë, Hysen Hoxha ishte shumë pranë Ismail Qemalit dhe kjo tregon se ai ka qenë një figurë e lidhur me aktivitetin patriotik.
Një historian turk, Nexhip Alpian, shkruan për Ismail Qemalin se ditëlindja e tij nuk është 24 janari, por 16 tetori. Duke qenë se ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës, a mendoni se ajo mund të jetë fshirë edhe pse në atë kohë nuk shkruhej fare data?
Absolutisht që unë nga të gjitha ato kërkime që kam bërë, nuk më ka dalë asgjëkund data 16 tetor. E së dyti, kjo që thoni ju se ka lidhje me ditëlindjen e Enver Hoxhës, unë nuk shoh të ketë ndonjë lidhje. Nëse do të ishte në 16 tetor, do të kishte mbetur aty. Këto dy figura politike nuk i bëjnë hije njëri-tjetrit, sepse të dy kanë vlerat e tyre. Ismail Qemali, si një arkitekt i pavarësisë, ndërsa Enver hoxha, si një udhëheqës i Luftës Nacional Çlirimtare dhe më pas i ndërtimit të socializmit, pavarësisht si konceptohet sot.
Ju keni punuar për shumë kohë si specialiste në arkivë, një pozicion jo prestigjioz. Si ka mundësi që një pjesëtare e familjes Hoxha kishte një detyrë kaq të thjeshtë?
Punova për rreth 8 vjet dhe nuk isha as specialiste e arkivës, por punonjëse e thjeshtë, pavarësisht detyrës që mora. Nuk kam pasur pretendime për të zgjedhur, ishte krejt normale kjo për mua.
Keni bërë disa deklarata publike që janë diskutuar dhe njëra prej tyre, ka qenë edhe ajo e ditarëve të Enver Hoxhës. A mund të na e shpjegoni këtë çështje?
Bëhet fjalë për 130 ditarë, ose blloqe kalendarike.
A bëhet fjalë për 130 blloqe që ai mbante shënime, apo ditarë më vete?
Jo, për ditarë siç janë me datat përkatëse. Ndër to, 100 ishin tamam ditarë, kurse 30 ishin kujtimet e tij. Këto u dorëzua