Epitafi politik i Astrit Patozi
Nga Azgan Haklaj
Erdhe nga hiçi, smësuat të ecni se instinkti ju shtyn të zvarriteni….
Disa ditë më parë në Top Story, gjatë një interviste të parapërgatitur, nënkryetari në detyrë i PDsë çuditi auditorin me të pathënat qe i kishte konservuar kahmot në ndërgjegjen e tij. Si të gjithë njerëzit që vegjetojnë për të përmbushur një mision (pavarësisht maskës) ai zgjodhi momentin sipas tij delikat për ti dhënë goditje Partisë Demokratike, liderit të ri të sapozgjedhur z. Lulzim Basha dhe natyrisht z. Sali Berisha. Pas Olldashit, edhe Patozi nuk vonoi të tentojë njëllosjen e fushatës zgjedhore të 22 korrikut në PD, që për hir të së vërtetës ishte jo veç risi por u shndërrua lumturisht në një eveniment inkurajues pas traumës se 23 qershorit që ne demokratët në mënyrë të pamerituar pësuam. Me miq e kolegë demokratë kemi reflektuar e mejtuar padyshim edhe për Olldashin edhe për Patozin edhe për të tjerë si ata qe presin radhën për të hedhur kundër PD-së gurin që kaherë e mbajnë në xhep. Njerëz si Patozi që populli i etiketon si të pa ujë në sy në pamje të parë duket se meritojnë mosinteres deri në mjerim. Por konteksti politik, vetë pozicioni aktual i zotërisë si nënkryetar e udhëheqës i grupit parlamentar, më obligojnë ti përgjigjem jo pa pezëm, publikisht.
Pikësëpari duhet të theksoj dhe argumentoj se Astrit Patozi dhe monologu i tij televiziv, nuk përbejnë një shqetësim a reflektim të vërtetë as intelektual e për me tepër institucional. Një synim i tillë do të që disi normal pas humbjes se 23 qershorit, ani se zotëria është njëri nga ata që i prinë humbjes në mos ishin misionarë të kësaj humbjeje jo pak tronditëse. I mbushur me mllef e vrer të akumuluar, i mërzitur deri në qarje e dëshpërim për mosfunksionimin e operacionit Olldashi, Patozi jo vetëm tentoi të pluhurose procesin e zgjedhjes se z. Basha, por nxorri nga xhepat e varfër metafora bajate rreth këtij personaliteti, i cili të demokratët ka rikthyer kurajon e ringjalljes, ka atrofizuar dëshpërimin. Duke imituar dhelprën e La Fontenit me lakminë për rrushin, Patozi rrëfen aspak sinqerisht synimet e tij të afërta e të largëta që të përkthyera thjesht janë luftë kundër ringjalljes se PD-së dhe ruajtjes në mesin e strukturave aktuale të saj status quonë kënetore të krijuar nga vetë ai, Olldashi, Bode e të tjerë rriqna që padrejtësisht ju ngjitën me stilin e shushunjës trupit të demokratëve. Astrit Patozi, emri dhe veprimtaria e tij nuk kanë asnjë lidhje me PD-në, me kreatorët dhe as qëndrestarët e saj. Ky njeri pa emër por i përfolur si pseudonimaxhi parashutoi çuditshëm nga një kronikan i rëndomtë gazetë në udhëheqës të piramidës drejtuese të PD. Pa asnjë autoritet politik, pa karizëm baze as të një brigadieri, totalisht i privuar nga ndonjë talent që mund ta veçonte, ai erdhi, hyri si hije në PD. Dhe nuk është sekret kuzhina që e gatoi dhe na e serviri atë se bashku me Olldashin. Kordonierët blu që serviren ketë dyshe janë dy njerëz të dobët që përdoren pabesisht aksesin e tyre në PD, jo veç për përfitime vetjake, por dhe për të tilla prurje që dita ditës po dëshmojnë dënim deri në pragfataliteti që ju sollën demokratëve. Stili i pështirë i Patozit që përmes komplimenteve groteske të sulmojë Sali Berishën, ishte një tjetër moment që e bën atë jo vetëm mosmirënjohës, por një mjeran të cilin nuk vlen as ta konsiderosh. Ai disa here për liderin e idhullin e të gjithë demokratëve e jo veç, përdori fjalën vdekatar. Kjo gjetje e shpifur linguistike në vetvete përmbante skuthllëkun, pabesinë, konspiracionin, tipare këto tipike të bashkëpunëtoreve të hershëm të Sigurimit famëkeq të Shtetit.
Unë do ti përgjigjem sot shqip Patozit. Po zoti Patozi, edhe Berisha është vdekatar si çdo qenie humane. Kjo është njerëzore! Por nga anët tona ka një shprehje të mençur që po ta citoj: Burri vdes se vdekja është ligjësi. Por vdekja me e rëndë është kur vdes për së gjalli. Kjo lloj vdekje është poshtëruese. Dhe ti e shijove një të tillë, edhe miku yt Olldashi, edhe të tjerë që po lëngojnë në fundin e tyre. Gjithsesi smund të rri pa thënë se i bashkohem konstatimit tënd se Berisha ka gabuar. E si nuk ka gabuar more zotëri kur ka adoptuar deri të tillë besëthyes e bukëshkalë, të tillë simbole të dobësisë, zvetënimit human dhe depersonalizimit si ti z. Patozi, si Olldashi si, si!!!
Ju deklamuat se nuk keni egon për një karriere të mëtejshme dhe as do të kandidoni për ndonjë post-drejtues. Ky nuk përbën asnjë reflektim prej teje, i cili do të ishte normal. Ti dhe miqtë e tu duhet të jeni kryeulët deri në tokë, pse jeni alfabeti i humbjes demokrate. Por ti nuk e deklaron këtë i shtyrë nga pesha njerëzore e politike e përgjegjshmërisë. Aspak! E bën sepse e njeh uraganin demokrat dhe e di mirë se je djegur përgjithmonë siç digjeshin atëbotë bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete që dekonspiroheshin. Ne demokratët nuk të kemi asnjë borxh por përkundrazi Ju dhe Olldashët u keni shume borxh të gjithë demokratëve shqiptarë për traumën që u shkaktuat. Unë biles do të sugjeroja ta dorëzosh me marifet mandatin akoma pa u betuar në Kuvendin e ri. Është mirë e me leverdi për ty ti kthehesh jetës anonime, harrimtare nga ke ardhur. Ky sugjerim miqësor buron nga informacioni që kam se shume shpejt do të iniciohet e dekretohet ligji për lustracionin. Besoj se më mirëkupton. Ke vende ku ta kalosh pjesën jopolitike. Ke restorantin lukzos që disponon në qendër të Tiranës. E në të ardhtë një pikë zori nga shpërfillja shpotitëse e demokratëve që ska për të munguar, mund të shkosh të shkruash memuare në çiflikun disa hektarësh të mikut tënd Olldashi diku nga laguna e qetë e Baldushkut. Të siguroj se jo vetëm asnjë dem nuk i shkaktoni PD, por veçse dobi do ti sillni. Se vetëpastrimi është shëndet. Ne të tjerët demokrat qëndrestarë do të jemi këtu ku na gjete, të gatshëm të ringrihemi. Për ju natyrisht bashkë me librezat e punës do tju dhurojmë dhe epitafin politik: Erdhe nga hiçi, smësuat të ecni se instinkti ju shtyn të zvarriteni….