E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media, llogorja e fundit ku mund të mbrohet e vërteta e maskaradës së 23 Qershorit

30-07-2013 / Nga Sejdi Peka

Duhet pranuar se e djathta ne Shqipëri sot është në krizë, ndoshta në krizën më të rëndë se ajo e vitit të mbrapshtë ’97, kur falangat e ish-sigurimit komunist në krye të Partisë Socialiste morën pushtetin me revolucionin leninist të “grykës së pushkës”. Themi në krizën më të rëndë, se në atë kohë Partia Demokratike dhe e djathta në përgjithësi ishin më të motivuara në përpjekjet e riorganizimit si forcë politike. E veçanta ishte se Partia Demokratike kishte në krye një Berishë të fuqishëm me një karizmë të jashtëzakonshme, një politikan të riafirmuar por edhe një armatë demokratësh të indinjuar nga dhuna bolshevike për marrjen e pushtetit nga e majta ish-komuniste. Në shumë zona të vendit PD nuk mundi as të zhvillonte fushatë elektorale, pasi territori qeverisej nga bandat kriminale të organizuara nga Partia Socialiste. Institucionet ndërkombëtare që monitoronin Shqipërinë dhe vëzhguesit e OSBE dhe ODIHR, pranuan rezultatin e zgjedhjeve të ’97-s, të diktuar nga rrethanat e krijuara për t’i dhënë më së shumti një shans Shqipërisë për integrimin në familjen europiane. Ndërkohë sot kemi një pamje krejt tjetër. Pushtetin e mori e majta ish-komuniste me numërimin një për një të votës, një votë  e deformuar, e blerë në kushtet e një terrori fizik dhe psikologjik. Ishte një votë e blerë tek njerëzit më në nevojë të shoqërisë shqiptare, hapur në ditën për diell. Ishte një propagandë denigruese, mashtruese e tipit bolshevik dhe klientelist për marrjen e pushtetit. Të gjithë kësaj maskarade të ndodhur në mijëra raste në dritën e diellit, mijëra vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendës mbyllën sytë sikur asgjë nuk kishin parë. Nga ana tjetër shteti që dispononte një ligj që ndëshkonte deri në 8 vite burg deformimin e votës nuk u ndje. Grupet e forcave politike u konfrontuan deri edhe me konflikt të armatosur duke kundërshtuar thasët me para që shpërndaheshin deri edhe pranë qendrave të votimit nga e majta ish-komuniste. Duket se edhe faktorët politikë të brendshëm dhe të jashtëm kishin rënë në një ujdi si për t’i vënë një “kapak floriri” deformimit të këtyre zgjedhjeve, ndoshta nga ai floriri që u vodh në Krrabë në kohën kur Ilir Meta ishte ashtu si po dëgjojmë “kryeministri i suksesshëm” i Shqipërisë
Edhe Partia Demokratike, përjashto vetëm Berishën, hyri në këto zgjedhje e ngathët dhe shpartalluar në të gjitha strukturat e sajë sikur po dorëzonte pushtetin. Nuk dihej se kush ishte kreu dhe as aktivisti i kësaj force politike. Nepotizmi dhe mercenarët e katapultuar sikur i morën frymën kësaj force politike. Edhe në dokumentet që dispononin anëtarët e Partisë Demokratike, se me cilin urdhër ishte hequr data e pranimit në Partinë Demokratike edhe sot nuk dihet. Ishte një fushatë elektorale e pa motivuar që drejtohej në shumë raste nga mercenarë që nuk kishin asgjë të përbashkët me Partinë Demokratike. Ishin të tillë që në portofolin e tyre dispononin disa tesera të partive politike duke filluar me PS dhe mbaruar me LSI. Administrata e qeverisë dhe institucionet ishin të infektuara me njerëz që vinin nga një konglomerat ish-komunistësh dhe sigurimsash, duke filluar që nga anëtarët e partive komuniste e socialiste, deri tek LSI. Marrëveshja prej 20% me LSI asnjëherë nuk u monitorua, përkundrazi u abuzua. Disiplina në institucione la shumë për të dëshiruar dhe aq më pak dëgjimi i ankesave dhe kërkesave të qytetarëve. Korrupsioni në administratën shtetërore ishte rrjedhojë e kësaj situate të çalë. Nga ana tjetër kandidatët për deputet dhe të ngarkuar të tjerë për drejtimin e fushatës së Partisë Demokratike, nuk kishin problem të njiheshin dhe të bashkëpunonin me strukturat por vetëm të kishin “mirë me të madhin”, nënkupto me Berishën. Dhe në ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit, kandidatët për deputet të Partisë Demokratike u ndanë në tre kategori. Të parët ishin shumë të paktë ata që ju përgjigjën temperamentit të fushatës që bënte anekënd Shqipërisë Sali Berisha. Ata që mendonin se ishin në listën e fitores, pinin kafe dhe uiski nëpër kafenetë e qyteteve të Shqipërisë duke pritur rezultatin dhe të tjerë jashtë “zonës së fitores”, çakërqejf ishin tërhequr duke menduar se do të ishin të privilegjuar në postet që do të mbanin në institucionet e shtetit. Sot po shohim paturpësinë e disa bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Berishës që i ngriti nga hiçi, në instancat drejtuese të PD që po hedhin sa mundin baltë kundër Berishës, duke e akuzuar për këdo dhe për çdo gjë. Në vend që të pranojnë përgjegjësinë e tyre për humbjen e Partisë Demokratike në këto zgjedhje, ashtu sikundër bëri Berisha, po bëjnë të kundërtën; të konfigurojnë një çarje të mundshme të kësaj force politike. Është mjaft për t’u çuditur se edhe Patozi hodhi helmin e gjarprit kundër PD. Por fitorja e pakontestuar e Lulzim Bashës si kreu i Partisë Demokratike ka dekurajuar këta njerëz mosmirënjohës që mundet të dëmtojnë sadopak Partinë Demokratike në proceset e saj të riorganizimit të partisë.
Edhe lufta anti-Berishë që vjen nga e majta ish-komuniste, po pasqyron frikën që ka e majta ish komuniste nga Berisha. Ata janë të dëshpëruar se “Berisha nuk duhet të jetë as anëtar i Partisë Demokratike”. Shikoni se çfarë verbërie bolshevike; themeluesi i PD të mos jetë as anëtar i saj! Po rasti i shumë politikanëve në Europën Demokratike që kanë humbur zgjedhje dhe janë kthyer përsëri në pushtet, ta themi Çërçilli e dhjetëra raste të tjera. Në pasqyrimin e kësaj gjendjeje si kërcënim i demokracisë një rol në drejtimin e kundërt të demokracisë ka mbajtur media në Shqipëri. Sot më tepër se kurrë për të gjithë është e qartë se media nuk është e lirë. Ajo është e kapur nga politika dhe i shërben politikës. Prandaj ku të hapësh televizorin dëgjon zërat dhe shikon fytyrat më të përçudnuara kundër demokracisë në Shqipëri dhe kundër Partisë Demokratike në veçanti. Humbjen e PD në këto zgjedhje e konsiderojnë si një “rënie të sistemit” dhe ngritje të një sistemi tjetër nga Edi Rama, njeriu i kapur nga kartelet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës. Por po shihet paradoksi i kësaj qeverisje akoma pa filluar. Për të hartuar të ashtuquajturin “program 300 ditësh” të Partisë Socialiste, është ngarkuar Ilir Beqja, i përjashtuar nga Parlamenti si deputet me vendim të Gjykatës Kushtetuese si krye hajdut i aferave korruptive. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, përbën grupin e milionerëve dhe hajdutëve të xhepave, që po përgatiten të mbushin thasët nga ajo që mundet të mbetet nga pasuria kombëtare e shqiptarëve. Nga ana tjetër a thua vallë Presidenti Bush i Amerikës do të vinte në Shqipëri në vitin 2007 dhe të takohej miqësisht me Berishën, të deklaronte Shqipërinë në NATO dhe  Kosovën e pavarur,në një vend “jashtë sistemit demokratik” dhe me një “diktator” si Berishën? A mundet vallë që Presidenti i parë amerikan që viziton Shqipërinë në historinë e saj, të deklaronte Shqipërinë si aleatin më të besueshëm të SHBA dhe popullin shqiptar si popullin më proamerikan në botë? Pse vallë nuk ka patur për 8 vite të qeverisjes së Partisë Socialiste qoftë edhe një eveniment që ta kishte afruar Shqipërinë me familjen europiane? Të gjitha ndodhën jo rastësisht në kohën e qeverisë “Berisha” edhe liberalizimi i vizave që aq shumë i dëshpëroi socialistët ndodhi në qeverinë Berisha. Sot askërkund nuk dëgjohet mendimi i lirë dhe investigues i medieve, sa herë që demokracia ndjehet e kërcënuar ose të kërcënuara nga interesat kombëtare. Shumë pak janë sot në Shqipëri mediat e djathta, për të mos thënë aspak. Panelet e TV i kanë uzurpuar disa analistë ose pseudo analistë që thirren për të trajtuar problemet politike dhe shoqërore anipse nuk kanë asnjë njohuri për problemet që diskutohen për publikun. Në njëfarë mënyre janë bërë si ai “fandi spathi” në letrat e bixhozit. Njëri prej tyre që e mban veten si ish-i burgosur politik, po i quan ose po i fyen demokratët duke i quajtur si “berishologë”. Ky mercenar që kthen mendimet nga fryn era, një ish “çun blloku”, që e ka kokën e deformuar nga kërbaçi i gardianëve të burgut të Spaçit, shpejt ka harruar se nga ferri i Spaçit e liruan pikërisht ata që ai në termin e tij po i quan “berishologë”. Këta berishologë janë ata ish-studentët e Dhjetorit ‘90 që përmbysën diktaturën dhe shtatoren e diktatorit. Këtyre berishologëve u printe Azem Hajdari dhe Sali Berisha. Por të tillë njerëz si ky “pseudoanalisti” nuk ishin njerëz të dënuar për mendimet e tyre por ishin viktimat e diktatorit dhe të paranojës së tij kundër bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Nuk dëgjon në media dhe as në debatet publike të vërtetën që duhet pranuar të deformimit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Pikërisht ky “analist” fajëson Partinë Demokratike se “edhe në qoftë se zgjedhjet u blenë me para, përsëri faji është i PD se populli është i varfër dhe ka lakmuar para në këmbim të votës”. Po si nuk i vete mendja këtij analisti trutharë, që të fajësojë qoftë në një rast regjimin komunist për varfërinë ekstreme që i imponoi këtij populli nga më të varfërit e globit në vitin 1991. Rruga e vështirë drejt demokracisë u ndalua nga revolucioni bolshevik i ’97-s. Por sot më tepër se kurrë është detyrë e mediave, e politikës shqiptare që të ngrejë zërin se zgjedhjet e 23 Qershorit ishin zgjedhje të manipuluara tërësisht të mashtruara dhe të blera me para. Një hordhi e tërë milionerësh dhe miliarderësh të Partisë Socialiste dhe LSI u aktivizuan me miliona e miliona euro që i vunë në dispozicion të blerjes së votës dhe mënyrave të tjera të shantazhit dhe terrorit. Vetëm rasti i Lezhës dhe i Shkodrës tregoi sa të manipuluara ishin këto zgjedhje deri edhe në institucionin e numërimit dhe administrimit të votës. Sot Demokracia në Shqipëri është përpara sfidave shumë të mëdha. Duket se Partia Demokratike po i pranon këto zgjedhje në kushtet e një presioni të interesave kombëtare, që të mos bëhet shkak për të penguar Shqipërinë në rrugën e integrimit euro-atlantik. Por është detyrë e mediave që të mos pranojnë presionin politik të Edi Ramës për të deformuar të vërtetën e maskaradës së zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ndërkohë opinioni shqiptar është shumë i bindur dhe ndërkohë mjaft i revoltuar, se vjedhja dhe deformimi i votës për marrjen e pushtetit me qëllim për të sunduar dhe pasuruar, është një kërcënim kundër demokracisë. A do të mundin vallë shqiptarët të besojnë se në zgjedhjet vijuese vota e tyre nuk do të vidhet, tjetërsohet vullneti i popullit. A mundet të besojnë se forcat politike do të rendin në blerjen dhe manipulimin e votës së lirë. Në këtë kontekst demokracia është tejet e kërcënuar. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›