'Eqerem Çabej', për herë të parë, master në arkeologji
GJIROKASTËR- Për herë të parë në historinë 40-vjeçare të tij, në universitetin "Eqrem Çabej" të qytetit të Gjirokastrës do të nisë cikli i dytë i studimeve në nivelin master për profilin arkeologji e administrim të pasurive arkeologjike. Bashkëpunimi disa vjeçar ndërmjet këtij institucioni dhe universitetit të Maceratës (Itali) është konkretizuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, që vendosi fillimin e këtij niveli studimesh.
Drejtues të universitetit të Gjirokastrës e cilësojnë këtë vendim si një hap tejet të rëndësishëm në ngritjen e nivelit pedagogjik të institucionit më të rëndësishëm të arsimit në rajonin jugor. Studentët që do të jenë pjesë e tij në fund të dy viteve do të pajisen me diploma që do të mbajnë firmat e rektoratit të universitetit "Eqrem Çabej" dhe atij të Maceratës e që do të jenë të vlefshme për punësim jo vetëm në Shqipëri e Itali, por në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. "Ky cikël studimesh i nivelit të dytë vjen pas bashkëpunimit disa vjeçar me universitetin e Maceratës dhe është hera e parë që do të aplikohet në universitetin tonë. Përveç nivelit të lartë të studimeve që garantohet nga stafi i përzgjedhur i pedagogëve shqiptarë e italianë, por edhe nga mjaft ekspertë të monumenteve e arkeologjisë, do t'u japë mundësi studentëve të kenë një diplomë të barazvlefshme me atë të studentëve europianë", shprehet prof. Bektash Mema, pedagog në departamentin Histori- Gjeografi e njëri prej bashkëhartuesve të këtij projekti.