Era Rusi: Ndryshova stil në muzikë, publiku më do kështu
klotilda harka
Pas pjesëmarrjes në festivalin e fundit të RTSH-së, Era Rusi, e sapo kthyer nga Athina, mendoi mënyrat për të hyrë në treg fuqishëm. Nga baladat e saj të njohura, tani vjen me një klip ritmik sepse publiku e do kështu. Jeta e re në Tiranë e këngëtares, ndërsa këndon “live” netëve në pub
U bë gati një vit që je kthyer nga Athina ku mbarove studimet, si të duket jeta në Tiranë?
Tirana është e bukur ditën edhe natën. Më pëlqen dhe kur të pëlqen diçka, e do me të mirat dhe të metat e saj. Pastaj është ndryshe kur vjen si mysafire dhe ndryshe kur vendos të jetosh këtu. E vetmja gjë që më bezdis është mungesa e parkingut (qesh).
Ç’mund të thuash për klipin e ri që sapo ka nisur të transmetohet në Supersonic, çfarë ke sjellë ndryshe?
Klipi është realizuar mbi produksionin me të njëjtin titull “Ikën dhe vjen”, të kompozuar nga Behar Strumi. Kënga ka një stil të vecantë dhe shumë tërheqës. Pas suksesit të verës në “Top Albania Radio” vendosëm të realizonim videoklipin në Supersonic. Aty u njoha me regjizorin Alexandër Ritskovski dhe ishte me të vërtetë një kënaqësi të punoje me të. Megjithëse ka vetëm pesë ditë që është publikuar, klipi është pritur shumë mirë. Ajo që kjo këngë dhe klipi sjellin të re është stili i ri dhe ritmi ndryshe nga baladat e forta që kam kënduar më parë. Nëse ka sukses, ky është një tregues që publikut i pëlqej më shumë kështu prandaj duhet vazhduar në këtë drejtim.
Cilat janë ambiciet në muzikë, çfarë synon më shumë çmime në festivale apo hit-e?
Kur marr pjesë në festivale nuk kërkoj një këngë që të fitojë çmim por një këngë të bukur dhe cilësore, domethënë një këngë që do të mbetet. Kur bëj një këngë për stinën e verës kërkoj një këngë “hit”.
Por këndon në një lokal nate, si ndihesh?
Unë këndoj në “Kavaliero Club”, që është një ambient i kulturuar të krahasueshme me klubet evropiane, ku bëhet muzike live. Me pëlqen të punoj me një orkestër profesioniste të drejtuar nga Altin Shehu, që iu përshtatet standarteve që unë kërkoj. Gjithashtu të këndoj krah këngëtarëve të mirënjohur si; Sidrit Bejleri, Altin Goci dhe Saimir Braho është me të vërtetë një kënaqësi e madhe.
Je pjesë e këtij tregu këngëtarësh të rinj, ke ndonjë koment?
Në tregun shqiptar të muzikës 80 për qind këndojnë duke i mbushur mendjen vetes se janë këngëtarë...Konkurrenca midis 20 për qind që mbetet është e pranueshme si në çdo fushë. Çdo këngëtar ka individualitetin e tij dhe publiku vlerëson individualisht.
More oferta gjatë verës për koncerte, dhe a do të jesh një këngëtare që do thuash po për këto oferta?
Këtë verë kam qenë shumë e zënë me koncerte veçanërisht në zonat bregdetare. Jam lodhur por edhe jam kënaqur. Jam munduar të ndërthur punën me pushimet. Por kam thënë edhe “Jo”.
Ti beson më shumë tek fati apo puna për të arritur famën?
Puna është baza e suksesit, por duhet edhe pak fat...