Audi A1, në shitje vitin e ardhshëm
Audi A1, i cili është paramenduar të jetë konkurrent i modelit “Mini” të BMW-së, është bërë e ditur se premierën e tij ta ketë në panairin e automjeteve në Gjenevë i cili mbahet vitin e ardhshëm, kur planifikohet edhe prodhimi e fillimi i shitjes.
Akullin e thyen versioni me tri dyer, pas së cilit do të vijë edhe versioni “Sportback” me pesë dyer. Në plan është versioni kabriolet, e kanë filluar edhe thashethemet për atë sportiv, të përshtatur për udhëtime në terrene të vështira. Kabrioleti nuk do të ketë kulm të fortë, por do të ketë kulm tekstili. Përsa u përket motorëve, oferta po ashtu do të jetë e pasur. Në mes të tjerash, blerësit do të kenë në dispozicion edhe motorët e vegjël turbo me benzinë prej 1.2 dhe 1.4 litra me 105 dhe 180 kuaj fuqi, motorin ekonomik me naftë 1.6 TDI, ndërsa për versionin më të fuqishëm është planifikuar motori prej 200 kuajsh fuqi.
Golf BlueMotion
Automjeti më ekonomik
Gjeneratës së dytë të Golfit BlueMotion i mjaftojnë vetëm 3.8 litra në 100 kilometra, falë motorit ekonomik 1.6 TDI, frenimit të rigjeneruar, sistemit start-stop dhe aerodinamikës së avancuar. Pas premierës në Frankfurt, ku ka qëndruar në shoqërinë e Golfit më të fuqishëm të gjitha kohërave, atij R me 270 kuaj fuqi, Golfi më ekonomik në histori del në shitje. Për ta futur në lëvizje është bërë përgjegjës motori common-rail 1.6 TDI me 105 KF, i cili transmeton fuqinë në boshtin e përparmë me anë të marshit mekanik prej pesë shpejtësish. Kursimit të karburantit i kontribuojnë aerodinamika, sistemi i frenimit të rigjeneruar, teknologjia start-stop, si dhe gomat e krijuara veçanërisht për të. Rezultat i kësaj është shpenzimi jashtëzakonisht i vogël i karburantit, prej gjithsej 3.8 litra në 100 kilometra, si dhe emetimi i CO2 nën 100 gramë për kilometër.
Ford
Tërheq edhe 4.5 milionë automjete nga tregu
Gjiganti automobilistik amerikan “Ford” tërheq edhe 4.5 milionë automjete nga tregu për shkak të ndërprerësve të prishur për çaktivizimin e kontrollit të lëvizjes të cilët kanë shkaktuar zjarre, kanë njoftuar nga kjo kompani dhe nga Agjencia rregullatore amerikane. Në letrën e adresuar tek Administrata shtetërore për siguri në trafik (NTHSA) “Ford” thekson se me këtë veprim ka marrë fund saga dhjetëvjeçare për ndërprerësit të cilat i ka prodhuar kompania “Texas Instruments”, për shkak të të cilëve gjiganti automobilistik amerikan gjatë gjashtë herëve ka tërhequr 14 milionë automjete. Natyrisht, kompania “Texas Instruments” nuk prodhon më ndërprerës për prodhuesin “Ford”. Automjetet e tërhequra do të dërgohen në sallonet e Fordit për t’u rregulluar.
"Ford" megjithatë nuk ka njoftuar se sa do t’i kushtojë kompanisë kjo tërheqje e fundit.
Acer Liquid
Telefoni më i shpejtë i gjeneratës së re
Telefoni i mençur Liquid nga Acer vjen me sistemin operativ Android 1.6 dhe procesorin Snapdragon të kompanisë Qualcomm me takt punues prej 1 GHz. Acer ka paraqitur telefonin e tij të parë të mençur të bazuar në sistemin operativ Android të kompanisë Google. Ky celular është emërtuar Liquid. Celulari është një prej të parëve i cili vjen me versionin 1.6 të këtij sistemi operativ, derisa sipas pohimeve nga Acer ai gjithashtu është më i shpejti në treg. Ekrani është i ndjeshëm në prekje dhe ka rezolucion prej 800 x 480 piksela, është integruar fotoaparati prej 5 megapikselash me auto-fokus dhe GPS. Acer po ashtu deri diku ka ofruar pamje të përshtatur me integrimin e kontakteve nga Facebook e Twitter në listën e emrave në celular, me mundësi të shfaqjes automatike të statuseve të tyre.
17 Tetor 2009