Erblira Bici, rikthim në A1

Erblira Bici, kapitenia e kombëtares së Shqipërisë në volejboll për të rritura e njëkohësisht shpallur ambasadoria e rrjetës shqiptare nga Federata Shqiptare e Volejbolli, është rikthyer në serinë A1 në Itali. Pikërisht skuadra ku ajo militon, Roma në volejboll për femra me fitoren e së dielës në transfertë ndaj Mondovit, 3-1, ka siguruar dy javë përpara përfundimit të sezonit ngjitjen në elitën e rrjetës italiane. 13 pikë të shënuara për Bicin, kjo krahas Riveros e Melit, dhe Roma bën një fitore spektakolare.
25-21 seti i parë për Mondovin. Skuadra e Bici shkundet dhe rrëmben tre sete njëherazi. 25-17, 25-18 dhe 25-23 dhe 3-1 për Romën. Zyrtarisht kjo skuadër do ta festojë ngjitjen në Serinë A1 më 16 prill, ndërsa në fushën e vet do të presë Trenton.
Në fakt kanë qenë dy vite të vështira për Romën, që së bashku me Erblira Bicin arrin ngjitjen historike në Serinë A1, kampionat në të cilin kapitenia shqiptar ka luajtur dhe më parë teksa ka qenë pjesë e Novarës. Kështu rikthimi i Bicit në A1 do ta bëjë edhe më interesant kampionatin italian për tifozët shqiptarë të volejbollit.