E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdhën rriqrat

Ngritja vetëm pak e temperaturave, ka çuar sërish peshë rriqrat në disa komuna të Kosovës.

Si rezultat i kësaj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë pranuar 117 pacientë të prekur nga pickimi i rriqrave.

Pacientët që i prijnë me numrin më të madh të të pickuarve janë zakonisht nga rajoni i Malishevës.

Zyrtarë të QKU-së thonë se në këtë institucion deri tani janë pranuar 117 pacientë të pickuar nga rriqrat. “25 prej tyre janë të mbikëqyrur nga mjekët ekspertë të Klinikës Infektive, të dyshuar se janë të infektuar me ethet hemorragjike Krime-Kongo”.

Si pasojë e pickimit nga rriqrat më datën 21 maj ka vdekur një fëmijë 11-vjeçar nga komuna e Malishevës. “Aktualisht, të shtrirë janë 10 raste të tjera, kurse prej tyre vetëm njëri po trajtohet me ribavirinë, kurse numri i të tërësishëm i pacientëve të trajtuar më ribavirinë është 4”, ka njoftuar Qendra Klinike Universitare.

Sipas mjekëve të Klinikës Infektive, pacientët që po shërohen në klinikë janë jashtë rrezikut për jetë. “Pacientët që po vazhdojnë të mjekohen janë jashtë rrezikut për jetë dhe po tregojnë shenja të përmirësimit të shëndetit të tyre”.

Zonat më të prekura nga rriqrat vazhdojnë të jenë Malisheva, Klina, Skenderaj, Drenasi, Suhareka dhe viset e tjera rurale të Kosovës.

Shemsedin Dreshaj, drejtori i Klinikës Infektive ka thënë se si çdo vit tjetër, edhe këtë vit Klinika Infektive është duke u ballafaquar me një fluks të madh pacientësh të prekur nga rriqrat.

“Çdo pranverë dhe verë shoqërohemi me pickimin e rriqrave për shkak të sezonit të tyre, kur ato veç janë më aktive në ambientin e jashtëm. Edhe në këtë vit, sikurse dhe vitet e tjera, ne jemi duke u ballafaquar me pickime të konsiderueshme të rriqrave dhe një numër të konsiderueshëm të pacientëve, të cilët vijnë dhe kërkojnë ndihmë pas pickimit, ose pasi që ta hetojnë rriqrën”, ka thënë ai.

Rastet e para me të pickuar nga rriqrat, sipas tij, Klinika Infektive ka filluar t`i evidentojë që nga shkurti i këtij viti

“Në Klinikën Infektive kanë qenë të spitalizuar gjithsej 23 pacientë, prej tyre aktualisht në Klinikë janë edhe tetë, të cilët janë nën mbikëqyrje. Prej këtyre tetëve, tre pacientë janë me ribaverim, duke u trajtuar si potencialisht të infektuar për shkak se kanë klinikë të qartë të infeksionit me ethe hemorragjike”, ka thënë ai.

Sipas Dreshajt, në fillim të pranverës ka filluar edhe spërkatja e zonave të rrezikuara me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundjeje.

“Këto janë vatra të vjetra, të cilat dihen në territorin e Kosovës dhe këto fillojnë nga Suhareka dhe vazhdojnë si një rrip i tërë me regjionin e Podrimës, me Malishevë, Skenderaj e deri në komunën e Istogut”, theksoi Dreshaj.

Dreshaj ka thënë se shenjat e para të infektimit nga rriqrat janë temperaturat e larta të cilat shoqërohen me ethe, lodhje, plogështi, marramendje dhe dhimbje koke.

Mjekët e QKUK-së kanë këshilluar të gjithë banorët e Kosovës që pickohen nga rriqrat se sa më shpejt që është e mundur të lajmërohen te mjeku më i afërt, kurrsesi mos të tentojmë t’i heqin vetë ato.

“Gjatë kryerjes së punëve të verës, të tregojnë kujdes të shtuar, duke veshur rroba dhe doreza dhe duke i mbuluar pjesët e trupit që mund të jenë në kontakt me rriqrat.

Simptomat e para te pacientët e pickuar nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, nëpër lëkurë dhe simptoma të tjera, për të cilat gjithsesi duhet konsultuar me mjekun”, thonë zyrtarë të QKU-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›