E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin benefitet

Më në fund, Qeveria e Kosovës do të hyjë në program financiar me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë 110 milionë euro. Bisedimet tashmë kanë përfunduar dhe në fund të javës pritet nënshkrimi i marrëveshjes. Me këtë do t`i hapet rruga derdhjes së 1.2 miliard eurove të premtuara nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën dy vjet më parë.

Shefi i Departamentit të Makroekonomisë, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, Selim Thaqi, ka konfirmuar se negociatat për këtë program me delegacionin e FMN-së që po qëndron në Kosovë, janë në përfundim.

“Qeveria e Kosovës, gjatë kësaj jave do të nënshkruajë marrëveshjen për programin financiar me FMN-në që do t’u hapë rrugë donacioneve të premtuara”, ka pohuar Thaqi.
Ai vlerëson se bashkëpunimi me Fondin, përveç interesit financiar që ka Kosova, është një dëshmi se të gjitha politikat financiare të Kosovës janë në harmoni edhe me sugjerimet që vijnë nga institucionet financiare.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pati thënë kohë më parë për Express se ka mbetur vetëm nënshkrimi i marrëveshjes.

“Bisedimet preliminare për këtë ‘stand by agrement’, një program një vit e gjysmë, kanë përfunduar dhe po negociohet për rreth 100 milionë euro”, pati thënë Shala.

Me këtë program, pasi që FMN-ja nuk financon projekte drejtpërdrejt, i garanton Kosovës një shumë të caktuar të parave të cilën mund ta shfrytëzojë për nevoja buxhetore.

Megjithatë, për t’i përfituar këto para, Qeveria e Kosovës duhet t’u përmbahet rekomandimeve të Fondit për reforma në administratën publike dhe të përmirësojë politikat makroekonomike.

Numri një i MEF-it shpjegon se janë në rrugë të drejtë dhe do të ketë reduktim natyral të stafit të administratës publike. Me këtë ai thotë se parashihet të mbetet numri i të punësuarve në nivelin aktual dhe të mos zëvendësohen pozitat e atyre që mbushin moshën e pensionit me persona të rinj.

Huaja nga Fondi pritet të plotësojë disa zbrazëtira buxhetore dhe të lehtësojë punën e Qeverisë për financimin e prioriteteve.

Në fund të muajit tetor të vitit të kaluar, kur ishte deponuar kërkesa për aranzhmane financiare me këtë institucion financiar ndërkombëtar, krerët e institucioneve kosovare, proklamuan se bëhej fjalë për shumë 300 milionë euro, ndërkaq në bisedat e fundit është reduktuar në 110 milionë euro.

Në anën tjetër, Kosova detyrimisht është dashur të hyjë në programe financiare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, përndryshe rrezikon t’i humbë 213 milionë euro donacione direkte për buxhet të premtuara nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore në Konferencën e Donatorëve dy vjet më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›