Erdogan: Suedia dhe Finlanda nuk ekstradojnë terroristë në Turqi, por guxojnë të kërkojnë anëtarësimin në NATO

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka theksuar sërish se nuk do të votojë pro anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Sipas Erdogan, si një anëtare e NATO-s, Turqia nuk do të pajtohet me ndonjë zgjerim që mund ta bëjë aleancën ushtarake më pak të sigurt.
“Ne presim që aleatët tanë të kuptojnë ndjeshmëritë tona për përpjekjet kundër terrorizmit, të tregojnë respekt dhe të ofrojnë mbështetje nëse është e mundur. Është jokonsistente që Suedia dhe Finlanda të kërkojnë t’i bashkohen aleancës ushtarake kur ofrojnë mbështetje për terroristët e PKK/YPG. Suedia refuzoi të ekstradojë terroristët në Turqi, por guxon të kërkojë anëtarësimin në NATO”, tha Erdogan.
Suedia dhe Finlanda kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa Erdogan është shprehur kundër anëtarësimit të tyre që kur dy vendet deklaruan se do të aplikonin për t’ju bashkuar aleancës.
Megjithatë udhëheqësit e Suedisë dhe Finlandës janë shprehur optimistë se do të mund të gjendet një zgjidhje, duke treguar gatishmëri për të negociuar me Erdogan./ Corriere.it
/rtsh.al/