E Enjte, 5 Nëntor 2026

Erdogan: Të bëjmë çmos për të siguruar armëpushim të përhershëm në Gaza

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan theksoi sot se gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama shkëmbyen ide edhe për çështje globale dhe rajonale.

“Ne ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë dhe në arenën ndërkombëtare. Mizoritë izraelite në territoret palestineze veçanërisht në Gaza dhe Liban ishin ndër pikat prioritare të axhendës së takimit tonë”, tha Erdogan në deklaratën e përbashkët pas takimit dypalësh dhe pas firmosjes së bashku me Kryeministrin Edi Rama të marrëveshjes për thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe tre marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Presidenti turk Erdogan u shpreh se “ndava pikëpamjet tona për agresionet e qeverisë Netanjahu, të cilat shkojnë përtej fushëveprimit rajonal dhe tani janë bërë një kërcënim për rendin global”.

“Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gaza është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm për të ofruar ndihma humanitare dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin”, nënvizoi Erdogan.

Erdogan tha se ” besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim”.

/k.s/ /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›