Konflikti në Gaza, Rama: Jemi pro armëpushimit që nënkupton edhe lirimin e pengjeve

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ajo që po ndodh në Gaza, Palestinë, është një tragjedi me proporcione kolosale, por se terrori në çdo formë dhe pamje që shfaqet është i patolerueshëm.
Në deklaratën e përbashkët me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, Rama tha se ndante vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij.
“Ne bashkëndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij. Por në një pikë, kemi një këndvështrim të ndryshëm, sepse duke qenë tërësisht të vendosur bashkë me Republikën e Turqisë dhe shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizmit dhe terrorit, për ne terrori në çdo formë dhe pamje që shfaqet është i patolerueshëm”, deklaroi ai.
Rama tha se Shqipëria është pro një armëpushimi që nënkupton edhe lirimin e pengjeve.
“Shqipëria është pro një armëpushimi dhe ka votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim, që patjetër duhet të nënkuptojë edhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve. Por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorrit, nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtetet sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta. Dhe nga ana tjetër askush nuk duhet të vendosë në pikëpyetje të drejtën dhe ekzistencën e tyre”, u shpreh ai.