E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan e quan “racist” ligjin francez për gjenocid

Kryeministri i Turqisë, Rejjep Tayib Erdogan, e ka quajtur “diskriminues dhe racist” ligjin që ka miratuar senati francez e që konsideron krim çdo mohim të gjenocidit ndaj armenëve.

Erdogan ka thënë se Turqia do të zbatojë “hap pas hapi masa hakmarrëse kundër Francës”.

Sipas ligjit të miratuar të hënën, secili që mohon gjenocidin e kryer nga turqit osmanë kundër armenëve, mund të përballet me një vjet heqje lirie apo edhe gjobë prej 57 mijë dollarë.

Menjëherë reagoi Ministria e Jashtme turke, duke e quajtur vendimin “të papërgjegjshëm” dhe duke kërcënuar se do të marrë masa shumë shpejt.

Armenia thotë se deri në 1.5 milion njerëz vdiqën në vitet 1915-16, pas ndarjes së Perandorisë Osmane. Turqia refuzon termin gjenocid dhe thotë se numri i të vrarëve ishte shumë më i vogël.

Projekt-ligji tani do t’i dërgohet presidentit, Nicolas Sarkozy dhe do të nënshkruhet si ligj, gjë që ai pritet ta bëjë përpara fundit të shkurtit.

Raportet thonë se ky veprim rrezikon të shkaktojë një çarje të thellë mes Francës dhe Turqisë, të cilat janë aleate të NATO-s.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›