E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erhand Busek: Statusi, Shqipëria të plotësojë kushtet e BE-së

Jo pa qëllim, ish-politikani karizmatik austriak, Erhand Busek preferoi ta jepte këtë intervistë ekskluzive në kuadrin e Forumit Europian 'Alpbach 2013' nga një restorant në majë të një prej maleve të Tirolit për të treguar ndryshimin që ka forca, vullneti, por edhe orientimi i drejtë i njerëzve. "Vij në këtë lokal prej 15 vitesh dhe shoh se si ndryshon pamja e këtij fshati. Nëse u thua vendësve se duket se Zoti ka zënë vend në këtë vend, atyre s'u vjen mirë sepse u ul punën që kanë bërë", e hap bisedën Busek, për të dalë menjëherë aty ku do të dalë. "Duhet të krijohet një shoqëri ku qytetarët përfshihen në punët e tyre. Ata duhet të kuptojnë se nuk janë politikanët, shteti apo administrata por qytetari/rja, që duhet të përfshihet në shoqëri". Sipas tij, vërtetë shoqëria është pushtuar nga interneti "Por unë jam ende i bindur se diskutimi dhe dëgjimi i mendimeve të të tjerëve është forma që do të vazhdojë përveç internetit, sepse diskutimi është baza e një demokracie". Busek vlerëson iniciativën e Kryeministrit të ardhshëm Rama për një afrim edhe më të madh me fqinjët. "Realiteti do politikanë që ta kuptojmë se po jetojmë në të ashtëquajtuarin fshat të globalizuar. Dhe ne duhet të njohim fqinjët tanë më të afërt dhe të krijojmë lidhje me ta. Ndonjëherë kemi tendencën të njohim ata që kemi më larg". Së fundi, ai vë re se të udhëtosh sa nga Brukseli për në shtetet e tjera europiane nuk ka vlerë, nëse politikanët shqiptarë e ata të vendeve të tjera aspirante për në BE nuk plotësojnë kriteret e vendosura nga BE-ja.
- Në shtator, qeveria e re shqiptare merr frenat në dorë. Të gjithë shqiptarët do të donin që politikanët e tyre të ndiqnin shembullin tuaj, që së bashku me Z. Franz Vranitzky, shtrënguat duart për ta futur Austrinë në BE...
- Më lër të hedh një vështrim mbrapa në karrierën time. E kam filluar relativisht shumë herët, me një organizatë rinore, jo një organizatë politike. Organizuam shumë fushata lidhur me arsimimin si dhe diskutime për vlerat. Hyra në politikë, sepse gjithmonë kritikoja politikën. Dhe një anëtar i Parlamentit austriak, në një nga këto debate, më tha që është mirë që kritikon, mbase ke të drejtë. Por këtë gjë duhet të përpiqesh ta bësh më mirë. Kjo gjë më bëri të futem në politikë dhe sot jam i bindur se të shtrënguarit e duarve nuk është kaq e rëndësishme. Kjo gjë është e mirë në kohë zgjedhjesh, fushatash për foto e për televizione. Unë tani jam jashtë politike prej shumë kohësh, por kur marr ftesa për diskutime, debate e fjalime nëpërmjet të cilave mund të shkëmbesh mendime me qytetarët, mendoj se është pjesa më e rëndësishme. Në këtë mënyrë u ke bërë një shërbim cilësor qytetarëve. Kështu krijohet e ashtëquajtuara shoqëri civile. Dhe cilësia e një demokracie varet shumë nga cilësia e shoqërisë civile. Gjërat kanë ndryshuar. Mund të them se shoqëria e internetit po krijon një shoqëri të re civile dhe ky proces nuk ka mbaruar akoma. Por unë jam ende i bindur se diskutimi dhe dëgjimi i mendimeve të të tjerëve është forma që do të vazhdojë përveç internetit. Interneti është një mënyrë e të bërit të gjërave shpejt dhe në një mënyrë më efektive, por diskutimi është baza e një demokracie. Një poet i famshëm zvicerian, Max Frisch, i cili ka shkruar edhe shumë drama, ka thënë: "Të jesh qytetar do të thotë të përfshihesh në punët e tua". Dhe mendoj se ai është një poet kritik. Duhet të krijohet një shoqëri ku qytetarët përfshihen në punët e tyre. Ata duhet të kuptojnë se nuk janë politikanët, shteti apo administrata, por qytetari/-rja që duhet të përfshihet në shoqëri.
- Sipas mendimit tuaj, për çfarë ka nevojë politika shqiptare?
Për shumë njerëz të trajnuar në Europë e në botë. Mendoj se asnjë nuk jeton më në një ishull. Ndonjëherë ekziston një tendencë për ta konsideruar Shqipërinë si një ishull, por kjo është e pakuptimtë. Sepse ne të gjithë jemi jashtëzakonisht të ndikuar nga të gjitha anët. Nëse shikojmë produkte të ndryshme, ato janë prodhuar për shembull në Kinë, në Malajzi e vende të tjera. Fuqia punëtore, në sajë të lëvizjeve të shpeshta, ose po e lë vendin, ose po vërshon në vende të caktuara. Informacioni dhe teknologjia janë tashmë globale. Realiteti do politikanë që ta kuptojmë se po jetojmë në të ashtëquajtuarin fshat të globalizuar dhe ne duhet të njohim fqinjët tanë më të afërt dhe të krijojmë lidhje me ta. Ndonjëherë kemi tendencën të njohim ata që kemi më larg. Nuk mund të them se të jetuarit brenda Bashkimit Europian është një proces i mbaruar tashmë. Për shembull, kemi 5 vende të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur ende Kosovën: Greqia, Qipro, Rumania, Spanja dhe Sllovakia. Arsyeja e vërtetë e kësaj mosnjohjeje për rumunët, spanjollët dhe sllovakët është problemi që ata kanë me pakicat e tyre. Gjithmonë i pyes ata: nëse nuk do të ekzistonte çështja e Kosovës, a do të zgjidhej problem juaj me pakicatë Deri më tani, mendoj se kemi një ekstrapolim të kësaj çështjeje.
- Meqënëse po flasim për fqinjët, së fundmi, Kryeministri i ardhshëm shqiptar, Z. Edi Rama, kreu një tur diplomatik duke u dhënë një shtysë marrëdhënieve me fqinjët tanë si Turqia, Greqia e Italia.
- Mendoj se varet shumë nga fqinjët që ke pranë. Jam dakord me strategji të tilla. Në fund ajo që vlen janë rezultatet. Në politikë, çdo gjë varet nga rezultatet. Nëse nuk funksionon, shikohet një strategji tjetër.
- Ç'mendoni për integrimin europian të Shqipërisë? Ajo ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, por ka ende shumë për të bërë. Ky vit ka sjellë pritshmëri lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat?
- Këshilla ime për qeverinë shqiptare, por edhe për qeveritë e vendeve të tjera rajonale që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Europian është: përpiquni të plotësoni kriteret e BE-së sa më shpejt të mundeni. Kryesisht reformat në sistemin e drejtësisë dhe në ekonomi si dhe në legjislacion apo luftën kundër korrupsionit, si një nga problemet për të pasur investime të huaja. Politikanët mund të udhëtojnë sa në Bruksel, sa në kryeqytetet e vendeve të tjera, por kjo nuk ndryshon asgjë nëse nuk plotësohen kushtet e BE-së. Nëse plotësohen, kjo gjë mund të shihet nga një prizëm objektiv dhe gjërat mund të funksionojnë.
- Le të flasim pak për Forumin Europian 'Alpbach 2013' (FEA). Prezenca shqiptare ishte më e madhe kësaj here në këtë Ffrum. Si e shikoni pjesëmarrjen e Shqipërisë në të?
- Kemi një pjesëmarrje të shqiptarëve në nivelin e Grupeve të Iniciativës (IG) dhe bashkëpunimin e tyre edhe me grupet e tjera homologe dhe kjo është dicka shumë pozitive. IG shqiptare mezi po pret të organizojë konferencën rajonale të radhës në Tiranë. Kjo është ide shumë e mirë dhe shpresojmë që ata t'ia dalin mbanë.
- A do të kemi një rritje të numrit të studentëve shqiptarë në edicionet e ardhshme të Forumit?
- Kjo do të varet nga puna e tyre, por edhe nga mundësia jonë për të mbledhur fonde. Kapaciteti dhe interesi ekziston. Jam optimist lidhur me këtë gjë.
Ju keni qenë President i EFA për 12 vite (2000-2012). Sipas jush, si ka ndryshuar ky Forum nga viti në vit?
Mendoj se varet shumë nga situata politike, ekonomike, sociale dhe mjedisore. Forumi është një traditë e diskutimit të çështjeve që dalin më në pah. Për shembull, vite më parë emigracioni nuk ka qenë në qendër të vëmendjes, por sot ai është temë e ditës. Apo do të përmendja edhe shumë tema të tjera si ato të diskutuara në simpoziumin e teknologjisë (22-24 gusht) që sapo lamë pas lidhur me inovacionin, sfidat e kërkimeve biomjekësore e të tjera. Forumi gjithnjë mat pulsin e jetës aktuale.
Meqenëse po flasim për tema të ditës, si e shikoni dixhitalizimin e shoqërisë?
Mund të them se dixhitalizimi ka një efekt të jashtëzakonshëm në shoqëritë tonë. Ajo që duhet të theksoj është se tani informacioni është simultant, pra çdo gjë ndodh në të njëjtën kohë. Kjo kërkon që edhe qeniet njerëzore të rendin më shpejt. Ndonjëherë është shumë sfiduese për bizneset, institucionet e shoqëritë në përgjithësi. Direkt kjo kërkon nevojën e një arsimimi të mirë për të kapur ritmin.
Dhe në fund, Z. Busek, si një përfaqësues tepër spikatës dhe karizmatik i Austrisë, si e shikoni bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Austrisë?
- Mund të them se është një bashkëpunim korrekt, që ka qenë dhe është kështu prej një kohe të gjatë. Ka një prezencë të Shqipërisë në mendjet e austriakëve. Një hekurudhë e famshme, e quajtur Hekurudha Semmering, që i takon shekullit të 19-të mban vulën e një shqiptari - Carl Ritter von Ghega. Gjithashtu mund të përmend një aktor të famshëm - Aleksandër Moisiu. Bashkëpunimi ynë ka qenë i mirë edhe në kohën e regjimit Hoxha. Mendoj se marëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›