E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erion Bogdani: E dua një gol për Alesandron e vogël

/* */

Dash FRASHËRI - Sulmuesi Erion Bogdani, 34 vjeç (15 gola me Kombëtaren, rekord) shprehet se do të jetë i kënaqur të shënoj nëj gol ndaj Rumanisë, në ndeshjen e fundit të sezonit eliminator të Kampionatit Europian 2012. “Er-Bomber” do të ndiqet për herë të parë në “Qemal Stafa” edhe nga bashkëshortja e tij, Rossella Ariodante (Bogdani), modelja salernitane, e diplomuar në jurisprudencë, por edhe nga djali i tij, Alesandro, vetëm tre muaj e gjysmë. “Ndaj Francës do të mungoj për shkak të pezullimit, por ndaj Rumanisë dua të jem në fushë dhe të shënoj për Alesandron”, - tha gjatë intervistës së tij ekskluzive për gazetën “Telegraf” në një kafet e hotel “Rogner Europark”, rekordmeni i Kombëtares. “Megjithatë, nuk mendoj se ndeshja me Rumaninë do të jetë e fundit e imja. Jam i gatshëm ta ndihmoj edhe gjatë eliminatoreve të Botërorit 2006 ekipin Kombëtar”. Erjon Bogdani ka luajtur përveç Partizanit dhe pak ndeshje me Dinamon në Shqipëri, edhe me Genclerbirligi në Turqi, NK Zagrebg në Kroaci. Në Itali ka lujtur edhe me Rexhinën, Salernitanën, Veronën, Sienën, Kievon, Livorno dhe ndodhet në sezonin e tij të dytë me Çezenën.

Erion Bogdani, 15 gola dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Kombëtares shqiptare. Sa krenar e ndjeni veten?
Më vjen shumë mirë që e theva rekordin. Është një emocion i veçantë. Fanella e Kombëtares është një gjë shumë e çmuar. Për të qenë i sinqertë, qysh kur kam prekur topin për herë të parë në moshën 10-vjeçare, ka qenë një ëndërr të vishja fanellën e përfaqësueses. Nuk e mendoja se të thyeja rekordin e golave apo numrin e ndeshjeve që kam luajtur me ekipin Kombëtar (63). Megjithatë, nuk dëshiroj aspak t’i ul vlerat Alban Bushit (14 gola), pavarësisht se kam shënuar tani më shumë se ai. Albani ishte dhe mbetet një lojtar shumë i mirë. Një sulmues i veçantë që ka dhënë shumë për Shqipërinë. Megjithatë, nuk diskutohet nga një rekord i tillë (15 gola), me vjen shumë mirë. Shpresoj që dhe ndeshjen kundër Rumanisë, pasi ndaj Francës jam i pezulluar, të luaj dhe të shënoj sa më shumë gola.
Në ndeshjen kundër Rumanisë do të keni në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, dy spektatorë të veçantë, bashkëshorten tuaj Rosela si dhe djalin tuaj, Alesandro. Emocione të mëdha apo jo?
Alesansdro tani është tre muaj e gjysmë dhe kam shumë dëshirë që ai të vijë e të jetë në stadium, në ndeshjen e fundit të këtij sezoni të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2012. Kam dëshirë të luaj, të shënoj dhe golin t’ua kushtoj atyre. Është hera e parë, që Alesandro vjen në Tiranë. Mjekët ja kanë lejuar udhëtimin me avion.
Erion, le të kthehemi te goli i parë juaj. Si e kujtoni atë?
Golin tim të parë e kam shënuar në një ndeshje miqësore kundër Maqedonisë. Kemi fituar 2-0 (10 shkurt 1999, golin e parë e ka shënuar Rudi Vata). Kam hyrë në lojë në dhjetë minutat e fundit. Në atë ndeshje me Maqedoninë, luante edhe një lojtar në ekipin tim në Kroaci, NK Zagreb, Stavreski. Ia kisha thënë dhe atij, qysh në Zagreb, se nëse do të futesha qoftë dhe dhjetë minuta do të shënoja. Dhe ashtu ndodhi. Ka qenë një ndeshje e zhvilluar në një fushë të përbaltur, edhe për shkak të shiut. Ishte një emocion i veçantë. Ëndrra ime ishte, që përveçse të luaja në një kampionat të fortë, ajo më e madhja ishte të vishja fanellën e ekipit Kombëtar.

Bogdani, duke parë dhe serinë e 15 golave tuaj, cilët nga gola të japin më shumë kënaqësi kur i kujton edhe sot?
Ndër golat më të rëndësishëm të mi, unë do të veçoja dy golat me Ukrainën në barazimin 2-2 (8 tetor 2005, në Dnipropetrovsk) për eliminatoret e Botërorit 2006, kur trajner kishim Hans-Peter Brigelin. Golin e parë e kishte shënuar Ukraina me Andrij Shevçenkon. Unë i çova shifrat në 2-1 për Shqipërinë, me dy gola brenda shtatë minutash (75’ dhe 82’), por ukraianasit barazuan në minutat e fundit (Ruslan Rotan 86’). Gola të tjerë të rëndësishëm janë dhe ato me Portugalinë (1-2, 6 qershor 2009) dhe Danimarkën (1-1, në 9 shtator 2009) për eliminatoret e Botërorit 2010, dhe nuk diskutohet goli me Francën (1-2, 2 shtator 2011), pasi janë ndeshje kundër ekipe që kanë shumë kampionë dhe janë ndër më të mirat në botë. Të shënosh kundër tyrë është e vështirë, por dhe kënaqësi e madhe. Megjithatë, unë do t’i vlerësoja të 15 golat e mi. Do të përshëndesja të gjithë lojtarët që më kanë ndihmuar t’i shënoj ato gola. Kam qenë pjesë e Kombëtares qysh nga mosha 17 vjeç dhe dëshiroj t’i falënderoj të gjithë futbollistët. Janë ata që më kanë ndihmuar për t’i bëj këto gola.

Duke u ndalur te karriera juaj, tepër e gjatë, një eksperiencë 15-vjeçare, Shqipëri, Turqi, Kroaci dhe Itali, kampionat ku militoni nga viti 2000. Si do ta vlerësonit atë?
Hapat e parë kanë qenë te Partizani, me të cilin kam luajtur në tre sezone shumë të bukura (1994-1997).

Në Turqi, te Gençlerbirlixhi...
Transferimin në Turqi, te Gençlerbirlixhi (1998), e konsideroj një eksperiencë të shkurtër, por dhe të vështirë. Gjithsesi, e them me bindje të plotë që më ka ndihmuar shumë. Më rriti nga ana profesionale. Nuk diskutohet që në futboll ka gjëra pozitive dhe jo të tilla. Ato negative të bëhen mësim. Shënova gol qyh në ndeshjen e parë timen, por është një ambient krejt ndryshe. U riktheva në Shqipëri, dhe më pas menjëherë në Kroaci.

Transferimi në Kroaci, te NK Zagreb, besoj se ka qenë një hap i rëndësishëm në karrierën tuaj.
Po është e vertetë, luajta në sezonin 1998-1999 (26 ndeshje, 10 gola) dhe më ka ndihmuar shumë për rritjen e nivelit tim, tashmë në planin ndërkombëtar. Kur unë luajta në Kroaci, atje kishte një nivel të lartë futbolli. Ishte komplet ndryshe nga ai shqiptar. Ishte një futboll profesionist. Vëzhgohej nga shumë menaxherë. Ishte një trampolinë e madhe. Mbaj mend se shumë lojtarë kroatë kanë kaluar në ekipe të mëdha, në Itali, Gjermani apo Angli. Në Kroaci kam luajtur me Dario Simiç, i cili më pas kaloi te Interi për një shumë goxha të madhe. Te NK Zagreb, trajner ishte pikërisht trajneri aktual i Kombëtares, Josip Kuzhe. Ishte ai që më thirri te NK Zagreb, pas një prove që realizova aty. Më pëlqeu. Më telefonoi Më duhet ta falënderoj për atë që bëri.
Italia është dhe stacioni juaj më i rëndësishëm në karrierën si futbollist. Shtatë skuadra midis Serisë A dhe B. Si do ta vlerësonit?
Nuk dua ta fsheh. Ka qenë ëndrra ime më e madhe. Tashmë është një realitet prej gati 11 vjetësh. E shihja dikur në televizion kampionatin italian. Tani jam pjesë e saj. Kam luajtur kundër kampionëve të mëdhenj italianë dhe botërorë. Emrat janë të shumtë: Zidan, Blank, Nedved, Inzagi, Maldini. Dikur i shihja nga televizori, ndërsa më dukej pak e habitshme që të luaja kundër tyre. Janë më shumë se 70 gola të realizuar në Itali, midis Serisë A dhe B. Nuk janë pak. Sezonit të kaluar u shënova gol Interit dhe Milanit.
Rexhina, Salernitana, Verona, Siena, Kievo, Livorno dhe tani në sezonin e tij të dytë me Çezenën. Keni qenë shumë i dashur për tifozët e këtyre skuadrave. Ku jeni ndjerë më mirë?
Është e vërtetë, jam ndjerë shumë mirë në Itali. Te të gjitha ekipet me të cilat kam luajtur kam lënë përshtypje të mira. Pavarësisht nga të qenit futbollist, kam qenë model në marrëdhëniet më drejtuesit, e sidomos me tifozët. Kam shumë miq futbollistë të njohur në Itali. Futbolli është pjesë e jetës sime. Gjithsesi, kjo ka të bëjë edhe me edukatën si lojtar. Në Itali, kam kaluar thuajse të gjithë karrirën time. Kam qenë protagonist në fushë, kam shënuar gola, por edhe kam qendruar në bankinë, e në disa raste në tribunë. Këto situata duhet të dish t’i menaxhosh me kujdes dhe maturi. Kam 11 vjet në Itali, në një kampionat me futboll shumë të fortë. Duhet të jesh shume i zoti t mbijetosh në një periudhë kaq të gjatë. Kanë dështuar shumë lojtarë të huaj. Duhet të falënderoj, pa dyshim veten, por dhe familjen time. Më ka mbështetur shumë. Më ka ndihmuar në momente të vështira. Më ka dhënë kurajë të ecë përpara.

Futbollist prej gjyshit

“Nuk do ta harroj kurrë sesi e nisa karrierën e futbollistit. Mund të duket e pabesueshme, por ishte gjyshi im, nga ana e nënës, Mustafa Novi, ai që më ka shtyrë dhe më ka nxitur që të luaja me Partizanin. Ka qenë oficer, komandant. Mbaj mend që, kur isha i vogël shkoja në stadium dhe shikoja ekipin e Partizanit. Ishte ai që ngulmoi te familja ime, që unë të luaja futboll. E realizova. Doja ta falënderoja, edhe pse ai nuk jeton më. Në momentet e fundit të jetës së tij, ai vdiq në vitin 1997, ai ulej  në shkallët e stadiumit dhe emocionohej teksa më shikonte në ndeshje dhe shënoja gola. Ka qenë ai, ai që më jepte si të thuash fuqi të luaja dhe të realizoja gola”. 

E ardhmja e djalit

Alesandro, fëmija i vetëm i çiftit Bogdani, Erjonit dhe Roselës, është vetëm tre muaj e gjysmë. Por, a do të ecë ai në gjurmët e të atit për t’u bërë dhe ai futbollist? “Nuk e di, por për momentin, si unë dhe nusja ime, nuk kemi qejf që ai të bëhet i tillë, pasi futbolli ka shumë vështirësi. Është një gjë shumë e vështirë për ta realizuar. Personalisht, kam qejf që djalin tim të merret me sport, duke e parë edhe në këndvështrimin që sporti është shëndeti i njeriut. Nëse ai do të jetë një talent në not, tenis apo sport tjetër, apo futboll, sigurisht që ne do ta mbështesim”, - tha Erjon Bogdani, i cili vetë është diplomuar në Administrimi dhe menaxhim biznezi në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›