E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Braçe: Ja si duhet të jetë qeveria e re

braceDeputeti i PS, Erjon Braçe, bën një analizë të shkurtër lidhur me aspektet që duhet të ndryshojë një anëtar i qeverisë së re, duke kritikuar në të njëjtën kohë ata që janë gati të lënë mandatin e deputetit për t’u bërë ministër.

Nuk do kisha thënë kurrë: Jam gati të lë mandatin e deputetit për një post ministri!! (Sidomos kur nuk ta kërkon apo ngarkon kush). Në publik jo e jo, por as kudo gjetkë.

I mirëkuptoj të gjithë, por dua të them: E para, të jesh deputet në Kuvendin e Shqipërisë është vërtet shumë, nuk është pak (nuk është xhaketë e ngushtë pra, në zhargonin vetëmburrës të disave), nëse mendon vërtetë se të qenit në Kuvend është punë, detyrë, e përditshme në respekt të njerëzve që të kanë votuar dhe angazhimeve për të shërbyer deri në ndryshim të jetës së tyre!! Për mua ka qenë një nder i pashlyeshëm besimi i shqiptarëve të zakonshëm!. E dyta, të jesh ministër në qeverinë e Shqipërisë është akoma dhe më shumë, veçmas pas qeverisë personale e të korruptuar të S.B, doktorit të mundur.

Pra, të qenit anëtar i qeverisë së re duhet të ndryshojë qartësisht katër gjëra:

E para: rikthimin e përfaqësimit të interesave të shqiptarëve; tejkalimi i interesave të një familjeje, grupi, klani, organizatë për të përfshirë interesat më të gjera kombëtare; sfidë kjo për çdo lloj ambicie personale.

E dyta: riformatimin e profilit të anëtarit të qeverisë; dua të them, tejkalimin e çdo modeli të mëparshëm në formim, dije, ekspertizë profesionale, eksperiencë, moral, në raport me veset e një ambienti të ndëshkuar keq për këtë dhe në raport me ligjin, siç qeveria e qeveritë e mëparshme; pra shqip dhe troç, anëtari i qeverisë së s.b nuk mund të shërbejë si model standard apo edhe i krahasueshëm për të bërë të pranueshëm çdokënd.

E treta: rolit të anëtarit të qeverisë; anëtari në këtë qeveri nuk duhet të jetë më pushtetari fuqiplotë, por nëpunësi politik e i përulur i qeverisë, drejtuesi, por edhe punëbërësi, përmbushësi i detyrës me fuqi ekzekutive brenda zyrës, ministrisë, fushës së veprimit të politikave të saj, në përputhje me ligjin dhe i barabartë me këdo tjetër përballë ligjit; deri këtu!; jashtë prej këtej duhet të jetë qytetari i zakonshëm dhe i barabartë me çdo qytetar tjetër të këtij vendi, në të drejta, detyrime apo privilegje

E katërta: marrëdhënia me pushtetet e tjera; ndarja e qartë mes pushteteve duke përmbushur qartësisht frymën e Kushtetutës; kasta me dy apo disa karrige ose me një karrige dhe me oborr të pasmë në hapësirën e kujtdo pushteti tjetër, ku tërhiqet për të gjetur rehat sa herë të dojë, duhet të jetë kultura e luftuar më në fund në këtë vend. Kështu kemi rënë dakord që para zgjedhjeve! Me modesti them se shqiptarët presin nga qeveria këtë. Asnjë ambicie personale nuk duhet ti sfidojë më shqiptarët, veçmas kur kam parasysh shpullën e urrejtjes që ata përplasën në seri e me një frymë në fytyrën e s.b. Struktura e qeverisë që Rama prezantoi dje, si një strukturë pune është hapi i parë i mirë!./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›